Pamje: Përqafimi i lehtësimit dhe ngazëllimit mes kapitenit Xhaka dhe trajnerit Petkovic

  • G.G /
  • 29 June 2021 - 12:18
Pamje: Përqafimi i lehtësimit dhe ngazëllimit mes kapitenit Xhaka dhe trajnerit Petkovic

Kapiteni Granit Xhaka dhe trajneri Vladimir Petkovic nuk kanë mundur ta fshehin ngazëllimin pasi e shkruan historinë duke e dërguar Zvicrën për herë të parë në çerekfinale të Kampionatit Evropian, pas fitores kundër Francës në penallti të hënën.

Ekipi zviceran u rikthye nga humnera pasi po humbiste me epërsi prej dy golave dhe e barazoi rezultatin në 3:3 në çastet e fundit të takimit të 1/8 së finales në Bukuresht, për ta mposhtur 5:4 në penallti kampionen e Botës, Francën.

Zvicra e kishte humbur mundësinë për ta krijuar një epërsi prej 2:0 në fillim të pjesës së dytë, pasi Ricardo Rodriguez e humbi penalltinë, por helvetikët treguan shpirt të jashtëzakonshëm luftarak për ta barazuar rezultatin dhe për ta çuar ndeshjen në penallti.

Yann Sommer e mbrojti penalltinë vendimtare të Kylian Mbappes dhe ia siguroi Zvicrës triumfin 5:4 në penallti.

Pas ndeshjes, kapiteni dhe lojtari i ndeshjes Xhaka, vrapoi për të festuar me trajnerin Petkovic, duke u përqafuar fort me të.

Ishte një përfaqim gëzimi dhe lehtësimi në të njëjtën kohë, sepse ekipi i tyre u kritikua shumë në Zvicër gjatë fazës grupore, pas barazimit dhe Uellsin dhe humbjes së thellë me Italinë.

Por që prej atëherë, të frymëzuar nga dyshja shqiptare Xherdan Shaqiri dhe Xhaka, helvetikët e mundën 3:1 Turqinë për ta siguruar një vend në 1/8 dhe pastaj e rrëzuan kampionen e botës dhe favoritin e Euro 2020, për një vend në çerekfinale.

Zvicra do të përballet me Spanjën në çerekfinale të premten, e cila është e parë në historinë e ekipit helvetik në Euro.

(Kosova Sot Online)