“Do t’i veja bast 50 euro për Lukakun e 50 për De Bruynen që do ta fitojnë Topin e Artë”

  • G.G /
  • 02 July 2021 - 13:16
“Do t’i veja bast 50 euro për Lukakun e 50 për De Bruynen që do ta fitojnë Topin e Artë”

Selektori i Belgjikës, Roberto Martinez i ka lavdëruar dy lojtarët e tij, për të cilët thotë se janë më të mirët në botë dhe se e meritojnë çmimin prestigjioz individual të lojtarëve

Romelu Lukaku dhe Kevin de Bruyne e meritojnë ta fitojnë “Topin e Artë”. Për këtë është i bindur selektori i Belgjikës, Roberto Martinez, i cili ka folur për dy lojtarët e tij që po marrin pjesë në “Euro 2020”. Madje, trajneri insiston se do të vinte edhe bast për dy yjet belge.

“Nëse do t’i kisha 100 euro për t’i vënë bast për Topin e Artë, 50 do t’i vendosja për Lukakun e 50 të tjera për De Bruyne. Mendoj se të dy në rolet përkatëse janë më të mirët në botë. Shpresoj që do ta kenë atë që e meritojnë. Lukaku, që kur ka shkuar në Inter është bërë më shumë se realizator. Ka shkuar në klubin e duhur dhe në momentin e duhur, është bërë më i pjekur. Nuk është vetëm një golashënues, merr pjesë edhe në lojë, i ndihmon shokët e skuadrës. Është vetëm 28 vjeç, rekordi i ti i golave është i jashtëzakonshëm. Mendoj se në 14 muajt e fundit është bërë më i matur”, ka thënë trajneri Martinez në një intervistë për “Goal.com”.

“Festimi i Romelut për Eriksenin e tregon se çfarë personi është, i interesojnë edhe të tjerët. Ka vlera më të mëdha sesa fitoret dhe humbjet. Ishte një moment i madh kur Romelu tha se rëndësia e atij festimi është që Christian ishte mirë. Kemi festuar me të”, përfundoi trajneri i Belgjikës. 

(Kosova Sot Online)