“Asnjë sinjal nga Ronaldo”

  • S.A /
  • 02 July 2021 - 14:41
“Asnjë sinjal nga Ronaldo”

Drejtuesit e Juventusit shpresojnë që ylli portugez të qëndrojë në Torino së paku edhe një sezon. Ndërkohë, spekulohet se veterani i sulmit mund të transferohet në Paris Saint-Germain gjatë kësaj vere. Juventusi nuk ka marrë ende asnjë sinjal nga Cristiano Ronaldo. Ylli portugez ishte i angazhuar deri së fundmi me Kombëtaren e Portugalisë, ndërsa tash është në pushime. Drejtuesit e gjigantit italian shpresojnë që veterani i sulmit të qëndrojë në Torino, së paku edhe një vit. Mirëpo, interesimi i Paris Saint-Germainit ka nisur t’i shqetësojë ata.

“Sinjalet aktuale, nga ana e klubit dhe të Cristiano Ronaldos, nuk çojnë në një drejtim të një transferimi. Kjo është ajo që mund ta themi sot. Nuk e kam sferën e kristaltë dhe nuk e di se çka mund të ndodh”, ka thënë drejtori i ri sportiv i Juventusit, Federico Cherubini.

Juve ndërkohë beson se një qëndrim i “CR7” në “Allianz Stadium” është më i mundshëm sesa largimi i tij. I vetmi destinacion i mundshëm për Ronaldon do të ishte Paris Saint-Germaini. Dhe, kjo mund të ndodhte vetëm nëse Kylian Mbappe nuk e vazhdon kontratën dhe nëse vendos të largohet në drejtim të Real Madridit.

Për Ronaldon spekulohej se interesim kishte shfaqur edhe Manchester United, por nuk kishte asgjë konkrete në këtë drejtim. Ronaldo dhe menaxheri i tij, Jorge Mendes janë duke u konsultuar rreth së ardhmes së pesë herë Topit të Artë.

(Kosova Sot Online )