“Mora frymë thellë” – Jorginho shpjegon penalltinë që e dërgoi Italinë në finale të Euro 2020

  • G.G /
  • 07 July 2021 - 11:48
“Mora frymë thellë” – Jorginho shpjegon penalltinë që e dërgoi Italinë në finale të Euro 2020

Jorginho ka treguar sesi është ndier kur e goditi penalltinë vendimtare për ta mposhtur Spanjën dhe për ta dërguar Italinë në finale të Kampionatit Evropian 2020.

Italia e arriti finalen e Euro 2020 pasi e mundi Spanjën e Enriques 4:2 në penallti të martën në Wembley.

Të kaltrit e kishin fitoren në dorë pas golit të epërsisë që Federico Chiesa e shënoi në minutën e 60-të, por Alvaro Morata e barazoi rezultatin 10 minuta para fundit, për ta çuar ndeshjen në shtesë ku nuk pati gola më.

“Ishte vështirë kundër një ekipi të madh i cili na detyroi të vrapojmë shumë. Ne e dinim se do të vuanim por besuam deri në fund dhe mendoj se e merituam fitoren”, tha Jorginho për Sky Sport Italia.

Mesfushori i Chelseat është i famshëm për goditje të sakta nga pika e bardhë, prandaj edhe ishte i ftohtë akull kur e mposhti Unai Simonin në penalltinë vendimtare për t’ia siguruar finalen të kaltërve.

“Kur godet nga penalltia, mund ta ndiesh peshën mbi supe. U përpoqa të harroj çdo gjë përreth meje, të përqendrohem në atë që isha trajnuar për të bërë, mora frymë thellë dhe godita”, shpjegoi Jorginho.  

Italia do të përballet me fituesin e gjysmëfinales tjetër mes Anglisë dhe Danimarkës në finalen e Wembley më 11 korrik.

(Kosova Sot Online)