Ribery largohet nga Fiorentina: Nuk treguan respekt për mua

  • G.G /
  • 10 July 2021 - 16:07
Ribery largohet nga Fiorentina: Nuk treguan respekt për mua

Franck Ribery është larguar nga Fiorentina pas dy viteve qëndrim te klubi vjollcë.

Sulmuesi anësorë tregoi formë të lartë, por kontrata e tij ka skaduar dhe nuk kanë vazhduar bashkëpunimin.

Në fakt dëshira e francezit ka qenë për të vazhduar edhe më tej në Firencë, por askush nga drejtuesit e klubit nuk e ka kontaktuar.

Ka qenë vet veterani francez që ka thënë se ka pritur një telefonatë nga klubi, por një e tillë nuk ka ardhur dhe drejtuesit kanë treguar mungesë respekti për të.

“Divorci ishte i vështirë, pasi në këto dy vite kam dhënë maksimumin, ashtu siç është në natyrën time”.

“Ishte e çuditshme, pasi për 3-4 javë nuk më telefononte askush për të më thënë se çfarë do të ndodhë dhe kjo për mua është mungesë respekti. Më vjen keq, pasi do të doja të vazhdoja akoma te Fiorentina”, u shpreh Ribery.

Ndonëse mbylli përfundimisht eksperiencën në klubin toskan, 38-vjeçari francez i uron më të mirën Fiorentinës, pasi deklaron se skuadra i ka të gjitha mundësitë për të bërë më mirë sezonin e ardhshëm.

“Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të luftonim për mbijetesë këtë sezon, megjithatë skuadra ka lojtarë të fortë dhe i ka të gjitha mundësitë për të provuar të bëjë diçka më shumë në të ardhmen”, tha francezi.

(Kosova Sot Online)