Italia ia doli ta fitojë Euro 2020 pa sulmues, thotë Cassano

  • S.A /
  • 14 July 2021 - 08:55
Italia ia doli ta fitojë Euro 2020 pa sulmues, thotë Cassano

Antonio Cassano ka thënë se Italia ia doli ta fitojë Kampionatin Evropian 2020 pa sulmues, duke mos i llogaritur fare Ciro Immobilen dhe Andrea Belottin.

Italia e mposhti Anglinë në një ndeshje dramatike me penallti 3:2 në finale të Euro 2020 të dielën vonë, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet mbaruan baras 1:1.

Gianluigi Donnarumma ishte heroi i Italisë pasi i priti tri prej pesë goditjeve të anglezëve para 66 mijë tifozëve në Wembley, për ta kthyer titullin evropian në Itali pas plot 53 viteve.

Italia i shënoi 13 gola në shtatë ndeshje, që është rekord i ri për të kaltrit në një turne të madh.

Reklamë

Immobile i shënoi vetëm dy prej tyre. Ndërsa, Belotti nuk e shënoi asnjë gol, pasi ka luajtur si rezervist.

Ish-sulmuesi i Italisë, Interit dhe Milanit, Cassano beson se Immobile ishte vetëm numër.

“Ne e kishim një problem të madh, u bëmë kampionë të Evropës, megjithëse nuk e kishim një sulmues”, tha Cassano për Bobo TV.

“Ky është fakt. Është diçka e veçantë, por trajneri meriton lëvdata që ka thënë qysh nga konferenca e parë se do të shkojë në Euro për ta fituar trofeun”, shtoi ai.

Immobile i ka shënuar 15 gola në 52 ndeshje për Italinë në karrierën e tij deri tani. Në Euro 2020 ndërkohë, ai shënoi kundër Turqisë dhe Zvicrës në fazën grupore.

Sulmuesi i Lazios ishte i pavërejtur në ndeshjet tjera kundër Austrisë, Belgjikës, Spanjës dhe Anglisë.

(Kosova Sot Online )