Gjatë prezantimit te Norwich, Rashica shfrytëzon rastin ta promovojë Kosovën

  • G.G /
  • 16 July 2021 - 14:41
Gjatë prezantimit te Norwich, Rashica shfrytëzon rastin ta promovojë Kosovën

Në konferencën e parë për media të Milot Rashicës si lojtar i Norwich Cityt në Premierligë, ylli kosovar nuk harroi ta përmendte edhe vendlindjen e tij.

Ai erdhi nga Werder Bremen te Norwich dhe dje u prezantua si lojtari më i ri i tyre. Gjatë konferencës për media, Rashica shfrytëzoi rastin ta promovonte Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme.

Gjatë konferencës për media ai tregoi se si tani fëmijët në Kosovë i veshin fanellat e tyre dhe jo më të ekipeve tjera kombëtare dhe lojtarëve tjerë.

“Ne shikonim ekipet tjera kombëtare dhe lojtarët tjerë, por tani mund të shikosh fëmijët në Kosovë që bartin emrat tanë në fanellat e tyre. Kur ne luajmë, askush nuk punon atje. Të gjithë duan të shkojnë në stadium ose diku për ta pare ndeshjen. Kjo na bënë neve shumë të lumtur dhe krenarë” – tha Rashica.

Ai tutje tregoi se si filloi karriera e tij nga Kosova, duke u ngritur lart e më lart deri në ligën më të fortë evropiane.

“Është një histori e madhe në Kosovë. Ata janë shumë të ngazëllyer. Edhe në Mbretërinë e Bashkuar kam pasur një mikpritje të ngrohtë nga shumë njerëz kosovarë dhe shqiptarë në Norwich dhe Londër. Mendoj se udhëtimi im është pak më ndryshe, sepse unë fillova në Kosovë dhe më pas nga Liga e Kosovës u transferova në Hollandë dhe më pas në Gjermani. Por gjithçka që kam pasur gjatë rrugës dhe gjithçka që ka ndodhur në të kaluarën thjesht më bën më të fortë dhe unë jam shumë i lumtur dhe shumë krenar për vendin tonë dhe për të gjithë lojtarët që ia dolën si unë. Kjo është ajo që na jep neve mentalitetin e forte të punës dhe të jemi të fortë mendërisht. Kjo është një gjë e veçantë për neve sepse nuk e harrojmë kurrë prej nga vijmë. Ne çdoherë ia kujtojmë këtë vetes” – tregoi ylli kosovar.

(Kosova Sot Online)