Futbollisti i Premierligës i akuzuar për pedofili braktiset nga gruaja

  • G.G /
  • 23 July 2021 - 11:41
Futbollisti i Premierligës i akuzuar për pedofili braktiset nga gruaja

Historia e lojtarit të Evertonit, arrestuar javën e kaluar nën dyshimin e pedofilisë, ka nisur të japë efektet e para domino. Pasojat janë lehtësisht të imagjinueshme për të gjithë personat e përfshirë. Në Mbretërinë e Bashkuar, në fakt, lojtari nuk mund të publikohet me emër si i akuzuar për arsye ligjore. Për ta identifikuar atë, gazetat thjesht raportojnë se është 31 vjeç, i martuar, luan rregullisht për ekipin kombëtar dhe është pezulluar nga Evertoni.

Në vendin e tij të origjinës, Islandë, dhe në rrjetet sociale, emri i tij nuk ka qenë më sekret prej disa ditësh. Gylfi Sigurdsson, i cili me fanellën e Evertonit ka shënuar 31 gola në 156 ndeshje, u martua verën e vitit 2019 në Itali me ish-Miss Islandën, Alexandra Ivarsdottir. Dje, gruaja e futbollistit të arrestuar për vepra të dyshuara seksuale ndaj të miturve la shtëpinë martesore për të shkuar dhe qëndruar me familjen e saj. Të hënën në mbrëmje ajo u pa duke ecur pranë shtëpisë, në shoqërinë e babait të saj, ndërsa lojtari u zhvendos në një “shtëpi të sigurt”, të vënë në dispozicion nga Evertoni.

Akuzat janë mohuar prej tij. “Kam dëgjuar nga një burim i besueshëm se është në një shtëpi të sigurt, që klubi ia siguroi. Ai po mbështetet 24 orë në ditë nga prindërit dhe motra e tij”, – zbuloi një person i afërt me lojtarin, i cili, megjithëse i mohon me forcë të gjitha akuzat, ka nisur të humbasë disa kontrata sponsorizimi.

 

Sipas faqes së internetit të gazetës islandeze “Morgunbladid”, zinxhiri kryesor i supermarketeve në vend tashmë ka hequr nga dyqanet e tij të gjitha pijet “State Energy” me fytyrën e Sigurdsson (futbollisti është imazh i markës në fjalë). Ndërkohë, hetimet vazhdojnë në Angli, të cilat, sipas “The Sun”, kryhen në bazë të një ankese të marrë javë më parë.

Ishte pikërisht kjo ankesë, e cila në fillim të muajit çoi në një kontroll të plotë të vilës së Sigurdsson në Merseyside, me synimin për të gjetur objekte të ndryshme si prova të mundshme. “Shokët e tij të skuadrës nuk kishin asnjë ide, derisa klubi iu tregoi gjithçka”, – i tha tabloidit anglez një burim nga Evertoni. Lojtari i arrestuar është shumë i njohur brenda ekipit, kështu që askush nuk mund t’i besojë akuzat. Të gjithë shpresojnë se është një keqkuptim.

(Kosova Sot Online)