Covid-19 i shkakton probleme në zemër Bersant Celinës, thotë trajneri i Dijon

  • E.K /
  • 02 August 2021 - 10:58
 Covid-19 i shkakton probleme në zemër Bersant Celinës, thotë trajneri i Dijon

Bersant Celina është duke u përballur me disa komplikime në zemër si pasojë e ndikimit të virusit Covid-19, ka thënë trajneri i Dijon David Linares.

U duk sikur përfaqësuesi i Kosovës Celina u riaftësua plotësisht nga koronavirusi kur u rikthye në stërvitje me Dijonin më 12 korrik, dy javë pasi ishte infektuar, por Linares ka konfirmuar se ai do të mungojë në fillim të sezonit në Ligue 2.

Duke folur për uebsajtin e klubit para ndeshjes së parë të Dijonit në kategorinë e dytë të futbollit francez, Linares tregoi se kosovari do të mungojë si pasojë e komplikimeve në zemër.

“Bersant Celina e ka një problem në lidhje me Covid-19, komplikime në zemër. Nuk guxojmë të rrezikojmë”, tha Linares.

24-vjeçari, i cili iu bashkua klubit francez vitin e kaluar, po kërkohej nga Ipswich Town, klubi që bën gara në kategorinë e tretë të futbollit anglez.

Linares e as Dijon nuk kanë dhënë ndonjë hollësi për gjendjen e Celinës.

Ish-mesfushori i Manchester City i bëri 32 paraqitje në Ligue 1 sezonin e kaluar dhe i dha pesë asiste, por nuk i mjaftoi Dijonit për ta shpëtuar rënien nga liga elitare franceze.

Telashet e tij shëndetësore nënkuptojnë se ai mund të mungojë në ndeshjet vendimtare të Kosovës në kualifikime për Kupën e Botës 2020 në shtator.

Verdhekaltrit e vizitojnë Gjeorgjinë më 2 shtator, para se ta presin Greqinë dhe Spanjën në Prishtinë në tri takimet e saj vendimtare në Grupin B.

Kosova është ende pa fitore dhe pa pikë, pasi i humbi dy ndeshjet e para ndaj Suedisë dhe Spanjës. Grupit i prijnë Spanja me 7 pikë dhe Suedia me 6. Greqia i ka 3 dhe Gjeorgjia 1.

(Kosova Sot Online)