Lojërat Olimpike, rekord i ri botëror në 400 metra me pengesa, e vendos një norvegjez

  • A.P /
  • 03 August 2021 - 20:09
Lojërat Olimpike, rekord i ri botëror në 400 metra me pengesa, e vendos një norvegjez

Pas rekordit botëror që vendosi ditën e dielë te femrat në garën e kërcimit trehapësh 25-vjecarja nga Venezuela Yulimar Rojas, e cila kërceu 15,67 metra, duke thyer rekordin e vjetër, që ishte fiksuar më shumë se çerek shekulli më parë, më saktë në 10 gushtin e vitit 1995 në Goteborg të Suedisë nga atletja ukrainase Inessa Kravets me 15,50 metra nuk vonoi shumë edhe kundërpërgjigjja e meshkujve, që reaguan vetëm dy ditë më vonë me anë të atletit të mirënjohur norvegjez Karsten Warholm.

Nëse do të kishte një rekord të ri botëror në “mbretëreshën e sporteve” te kategoria e meshkujve natyrisht që të gjithë e prisnin në disiplinën e 400 metrave me pengesa, duke pasur parasysh rivalitetin në distancë të dyshes Karsten Warholm–Rai Benjamin si dhe kohët fantastike të prodhuara në pistë prej tyre.

Në “Kontinentin e Vjetër” po gdhihej ndërsa në “vendin e lindjes së diellit” ishte mesditë. 400 metrat me pengesa për meshkuj përfaqësonin padyshim edhe rastin e shumëpritur për t’i parë në veprim dhe kundër njeri–tjetrit këta dy atletë fenomenalë dhe kushtet perfekte në Stadiumin Olimpik të Tokios sigurisht ndikuan për pjesën tjetër.

Atleti nga Shtetet e Bashkuara u paraqit në Lojërat e 32 Olimpike me idenë fikse për të mundur më në fund atletin e famshëm nordik, që ishte njëherësh edhe mbajtësi i rekordit të vjetër në këtë disiplinë. Gara e 400 metrave me pengesa në atletikë konsiderohet si një ndër më të vështirat në “mbretëreshën e sporteve”, sepse përvec rrotullimit për një xhiro rreth pistës me përmasat standarte olimpike dhe interpretimit të vecantë gjatë gjithë kohës si një garë sprinti nevojitet gjithashtu edhe një koordinim perfekt për të kaluar barrierat e pozicionuara përgjatë itinerarit.

Dy atletët qëndronin të pozicionuar ngjitur me njëri–tjetrin, në korsitë 5 dhe 6 dhe Karsten Warholm zbriti në pistë me statusin e njeriut të pamposhtur në tre vitet e fundit në këtë disiplinë. Atmosfera për dicka vërtet të madhe ndihej qartë, ndonëse për shkak të pandemisë së koronavirusit garat e atletikës në Stadiumin Olimpik të kryeqytetit nipon sic dihet u zhvilluan pa spektatorë. Duke lënë mënjanë avantazhet që sjellin natyrisht këpucët e sotme sportive, tepër të vecanta dhe me fibra karboni edhe sikur zbathur të kishin garuar përsëri me shumë gjasa këta dy atletë të mëdhenj do të kishin prodhuar një kohë fantastike, të atilla ishin pritshmëritë. Gjithcka rezultoi e vërtetë dhe 24-vjecari njujorkez shtyu në limit rivalin e tij, duke nxjerrë në dritë një garë të paimagjinueshme në aspektin e kohëve.

Në krahun tjetër që të gjithë ata që e njohin apo e kanë parë të vrapojë e dinë shumë mirë se me stilin e tij 25-vjecari norvegjez duket sikur garon cdo herë me synimin për të vendosur një rekord të ri botëror. Në fakt rekordi i mëparshëm i kësaj disipline nuk konsiderohej aspak si i vjetër, duke pasur parasysh që Karsten Warholm e fiksoi kohën fenomenale 46”70 vetëm një muaj më parë. Bëhet fjalë pikërisht për datën 1 korrik, kur në atdhe në mitingun e sivjetshëm të Diamond League-s në Oslo atleti nordik theu me 0,08” rekordin e lashtë, që zgjaste prej afërsisht tre dekadash dhe që ishte vendosur në Olimpiadën e Barcelonës më datën 6 gusht të vitit 1992 nga atleti i famshëm amerikan Kevin Young, me kohën 46”78. Që në start Karsten Warholm i imponoi kundërshtarit një ritëm shumë të lartë dhe të dy këta atletë nxitën pjesën tjetër për ta futur thellë në librin e rekordeve finalen e 400 metrave me pengesa të Olimpiadës së Tokios si garën absolutisht më të shpejtë të kësaj disipline. Përfundimisht 25-vjecari norvegjez u bë i pari atlet që zbret poshtë murit të 46”, për të ndalur kronometrin në kohën e paimagjinueshme 45”94, duke përmirësuar rekordin e tij me pothuajse trecerek sekonde. Imagjinoni me kohën 46”17 nëse do të kishte triumfuar Rai Benjamin do t’i ishte gëzuar jo vetëm fitores por gjithashtu edhe rekordit të ri botëror, por me një rezultat të tillë fenomenal atleti amerikan do të duhet të ngushëllohet thjesht me medaljen e argjendtë, ndërkaq podiumi u plotësua nga 21-vjecari brazilian Alison dos Santos me kohën 46”72.

Pra tre të parët ishin qartësisht poshtë rekordit të vjetër të kalifornianit Kevin Young, që muajin e ardhshëm do të festojë 55-vjetorin. Aq e shpejtë ishte kjo garë sa atletët e tjerë Kyron McMaster, Yasmani Copello dhe Rasmus Magi përmirësuan që të gjithë rekordet e tyre kombëtare, ndërsa atleti nga Katari Abderrahman Samba fiksoi kohën e tij më të shpejtë të vitit. Përfundimisht gara e 400 metrave me pengesa për meshkuj do të mbetet në histori si ndoshta gara më e bukur dhe më e vecantë e Olimpiadës së Tokios dhe koha e vendosur nga norvegjezi Karsten Ëarholm me siguri do të krahasohet për nga madhështia me kohën absurde 9”58 të fiksuar në Berlin në 100 metra nga xhamajkani Usain Bolt apo qoftë edhe me rekordin e paimagjinueshëm të 100 metrave për femra, që vazhdon të rezistojë dhe është vendosur nga atletja e pavdekshme amerikane Florence Griffith Joyner, në Indianapolis në vitin e largët 1988 me kohën 10”49. 

(Kosova Sot Online)