“Faleminderit që e keni përfaqësuar fanellën tonë me krenari”, Barça zbulon të gjitha fanellat që i ka veshur Messi

  • G.G /
  • 06 August 2021 - 15:11
“Faleminderit që e keni përfaqësuar fanellën tonë me krenari”, Barça zbulon të gjitha fanellat që i ka veshur Messi

Duket e pabesueshme, por tashmë është zyrtare – pas 17 sezonesh Leo Messi është larguar nga Barcelona.

Barça dhe Leo, gjithnjë sipas Juan Laportës, numrit një të Barcelonës – deshën ta vazhdojnë ëndrrën e tyre, por për shkak të fair play financiar LaLiga nuk lejoi të regjistrojë lojtarin dhe zgjidhja e vetme ishte largimi nga klubi i fëmijërisë.

Laporta tha se me rinovimin e kontratës së Messit, për shkak të kushteve të rënda ekonomike, Barcelona rrezikonte shumë dhe arritën në përfundim që tani t’i ndajnë rrugët edhe për të mirën e klubit.

Barcelona edhe njëherë ka postuar në rrjetin social ‘twitter’ një video tjetër, ku ka zbuluar të gjitha fanellat me numra të ndryshëm që i ka veshur Messi që kur nisi të luajë në ekipin e parë, teksa ka shkruar; “Faleminderit që e keni përfaqësuar fanellën tonë me krenari”.

Messi do të largohet si një legjendë, sepse ato që ka arritur ai për 17 sezone te Barça vështirë se do t’i arrijë ndonjë lojtar tjetër.

Në total, ai ka bërë 778 paraqitje, ka shënuar 672 gola dhe ka dhuruar 305 asiste.

Messi largohet nga Barcelona me 35 trofe; 4 Champions League, 10 LaLiga, 7 Copa Del Rey, 3 FIFA Club World, 8 Superkupa të Spanjës dhe 3 UEFA Supercup. 

(Kosova Sot Online)