Guardiola “thumbon” Kloppin: Nëse s’i pëlqejnë shpenzimet e Cityt, të na hedhë në gjyq

  • A.P /
  • 15 August 2021 - 17:00
Guardiola “thumbon” Kloppin: Nëse s’i pëlqejnë shpenzimet e Cityt, të na hedhë në gjyq

Rivaliteti mes Jurgen Kloppit dhe Pep Guardiolës ndizet me thumbimet që të dy trajnerët i bëjnë njëri-tjetrit me deklaratat për shtyp.

Gjermani i “The Reds” pak ditë më parë u shpreh se për Guardiolën nuk ka kufizime sa u përket blerjeve të shtrenjta, duke nënkuptuar se kolegu i tij i Citizens ka një avantazh të theksuar dhe të padrejtë.

 

Pikërisht ky qëndrim i Kloppit ka nxitur reagimin e spanjollit, që në konferencën për shtyp para përplasjes me Tottenhamin ironizoi rivalin e tij duke u shprehur se “duhet t’i hedhë në gjyq” nëse nuk i pëlqejnë blerjet e shtrenjta të Mancehster City-t.

Pep beson se Manchester City po i përmbahet protokollit të “Fair Play Financiar” dhe se shpenzimet për blerjet janë thjesht rezultat i dashamirësisë së pronarëve për klubin e tyre.

“Më parë kishte vetëm një ose dy klube. Tani është Chelsea me Roman Abramovichin dhe klubi ynë me Sheikun Mansour. Ata duan të bëjnë shpenzime në futboll. Cili është problemi? Ne kemi kufizime për “Fair Play Financiar” dhe nëse ka nga ata që nuk pajtohen me shpenzimet e Citizens, mund të shkojnë në gjykatë dhe të bëjnë ankesë,” – deklaroi fillimisht Guardiola, që më pas shtoi: – “Kemi blerë Jack Grealish, sepse kemi arkëtuar 60 milionë nga shitjet, kështu që, në fund të fundit kemi shpenzuar vetëm  40 milionë. Ne ndjekim absolutisht rregullat. Në klubin tonë, pronarët nuk duan të humbasin para natyrisht, por ata duan të shpenzojnë, kështu që ne mund ta bëjmë atë.

Vite më parë, kur Manchester United fitonte shumë trofe sepse shpenzotne më shumë se klubet e tjera. A e mbani mend këtë? Në atë kohë Manchester City nuk mund ta bënte këtë, sepse ne nuk kishim pronarët që kemi sot.”

Pep Guardiola dhe Jurgen Klopp ka fituar katër titujt e fundit në Premier League, tre spanjolli dhe një gjermani, kështu që është e kuptueshme që në rivalitetin mes tyre të ketë dhe momente tensioni.


(Kosova Sot Online)