Sot nis FIBA European Challenger, mbahet në Prishtinë

  • G.G /
  • 16 August 2021 - 09:51
Sot nis FIBA European Challenger, mbahet në Prishtinë

Pallati i Rinisë dhe Sportit në Prishtinë nga 16 deri më 21 Gusht do të jetë arenë e ndeshjeve të basketbollit, ku do të zhvillohet FIBA European Challenger për U16 te meshkujt.

Në këtë Evropian përveç Kosovës do të marrin pjesë edhe Shqipëria, Luksemburgu, Gjibraltari, Malta dhe Moldavia. Do të zhvillohen tri ndeshje gjatë ditës, kurse të shtunën janë takimet e fundit në grupe, ku do të shpallet Kombëtarja fituese dhe MVP i Kampionatit.

Basketbollistët e Kosovës U16 kanë stërvitur dy herë në ditë për të qenë gati për këtë Evropian. Të premten (sot) lojtarët e kanë pushim, kurse nga dita e shtunë do të jenë në karantinë sipas rregullave.

Përzgjedhësi Dritëro Sefaja të enjten ka shpallur 12-shen përfundimtare, derisa shpreson në paraqitje dhe rezultate pozitive në këtë garë që zhvillohet në Prishtinë.

Dardanët e rinj ndeshjen e parë e zhvillojnë të hënën nga ora 17:00 ndaj Maltës, kurse ndeshja e parë është Shqipëria-Gjibraltari nga ora 14:00, derisa sfida përmbyllëse mes Moldavisë dhe Luksemburgut nga ora 20:00.

Për shkak të masave anti-Covid të gjithë të pranishmit në palestër duhet të bartin maska dhe të respektojnë distancën sociale.

Kjo është edhe një ngjarje madhore që i besohet Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), pasi më herët ka organizuar Divizionin C për meshkuj U18 më 2018, Divizionin B për femrat U20 më 2019, si dhe ‘Bubble’ në muajin shkurt, ku ishin pjesëmarrëse Kosova, Luksemburgu, Islanda dhe Sllovakia.  

Evropiani për U16 është dashur të zhvillohet vitin e kaluar me 11 shtete, por për shkak të pandemisë u shty dhe në këtë verë të gjitha garat te grupmoshat e reja zhvillohen në formë të Challenger dhe jo Divizione si më herët, për shkak të pandemisë me Covid-19.

(Kosova Sot Online)