Ish-ylli i Arsenalit Wilshere: Si t’ia shpjegoj djalit tim se asnjë klub nuk më do mua?

  • E.K /
  • 25 August 2021 - 13:24
 Ish-ylli i Arsenalit Wilshere: Si t’ia shpjegoj djalit tim se asnjë klub nuk më do mua?

Jack Wilshere ka folur haptazi për vështirësitë me të cilat është duke u përballur në përpjekje për ta gjetur një klub të ri, duke e pranuar se nuk e kupton përse asnjë klub nuk dëshiron ta afrojë atë.

Mesfushori anglez kaloi kohë në West Ham dhe Bournemouth pasi u largua nga Arsenali më 2018, por nuk ia doli ta bindë asnjërin prej tyre ta mbajnë për kohë të gjatë.

Tani, edhe pse vetëm 29-vjeçar dhe me 34 paraqitje për Anglinë në emrin e vet, Wilshere po e ka të vështirë pse nuk është më tërheqës për klubet e futbollit.

Koha po ikën për të, duke qenë se sezoni i ri 2021/22 ka nisur tashmë dhe ai është ende pa klub.

“Sot po vrapoja rreth shtegut të atletikës dhe nuk po arrija ta besoja se një ditë do të përfundoja këtu gjatë karrierës sime”, tha Wilshere për The Athletic për gjendjen e vet aktuale, pasi i duhet të stërvit i vetëm për ta ruajtur kondicionin fizik.

“Fëmijët e mi janë të një moshe që kuptojnë. Veçanërisht Archie, i cili është 9 vjeç. Ai në fakt po bisedon me mua dhe më ka pyetur: ‘Pse nuk shkon në MLS?’ apo ‘Pse nuk luan në La Liga?’” tregoi ai.

Ai shtoi: “E kam të vështirë t’ia shpjegoj atij pse. Ai do të më thotë: ‘Si ka mundësi asnjë klub nuk të dëshiron ty?’ Nuk e di, por si t’ia shpjegoj?”

Wilshere ka qenë njëri prej mesfushorëve më premtues anglezë në dekadat e fundit, por lëndimet e shpeshta ia kanë bërë të pamundur ta arrijë kulmin në karrierë.

(Kosova Sot Online)