Zouma largohet përfundimisht nga Chelsea

  • A.P /
  • 29 August 2021 - 12:05
Zouma largohet përfundimisht nga Chelsea

Zouma largohet përfundimisht nga Chelsea, pritet afrimi i Kounde

Kurt Zouma largohet nga Chelsea, por mbetet në Londër. Francezi 26-vjeçar u transferua te skuadra e West Hamit për një shifër totale prej 30 milionë eurosh dhe firmosi një kontratë 5-vjeçare me “çekanët”.

Zouma iu bashkua Chelsea-t verën e 2014-ës si një nga mbrojtësit më premtues, por nuk arriti të lërë gjurmë te “blutë” e Londrës dhe një pjesë të mirë të kohës e kaloi në huazim në skuadra të tjera si Saint Ettiene, Stoke City apo Everton.

Megjithatë tani rrugët mes tij dhe kampionëve të Europës janë ndarë përfundimisht, ndërsa shitja e Zouma i hap udhë Chelsea-t të kompletojë transferimin e një tjetër mbrojtësi francez.

Bëhet fjalë për 22-vjeçarin e Sevillas, Jules Kounde, i cili ndiqet prej javësh nga londinezët dhe transferimi pritet të kompletohet në fillim të javës, për një shifër prej rreth 50 milionë eurosh në total, ndonëse klauzola e prishjes së kontratës së tij me andaluzianët është plot 80 milionë euro.

Vetë 22-vjeçari francez ka pranuar transferimin në Londër, aty ku e pret një rol i rëndësishëm në qendër të repartit të prapavijës dhe gjithashtu ka edhe një marrëveshje mes Chelsea-t e Sevillas, por gjithçka ka mbetur pezull, pasi andaluzianët nuk e kanë gjetur ende njeriun që do të zëvendësojë Kounde në qendër të mbrojtjes.

(Kosova Sot Online)