Muriqi e shpëton Kosovën nga humbja ndaj Greqisë, por shpresat për kualifikim në Botëror mbesin të vogla

  • G.G /
  • 05 September 2021 - 23:33
Muriqi e shpëton Kosovën nga humbja ndaj Greqisë, por shpresat për kualifikim në Botëror mbesin të vogla

Muriqi e shpëton Kosovën nga humbja ndaj Greqisë, por shpresat për kualifikim në Botëror mbesin të vogla

Vedat Muriqi e ka shpëtuar Kosovën nga humbja kundër Greqisë me një gol të vonshëm për t’ia nxjerrë një barazim 1:1 të dielën në Prishtinë, i cili, megjithatë, pothuajse ia shuan shpresat dardanëve për kualifikim në Kupën e Botës për herë të parë në histori.

Kur Greqia mendoi se i kishte fituar tri pikë në Prishtinë, pas golit të epërsisë nga Anastasios Douvikas në fund të pjesës së parë, Muriqi e çmendi Stadiumin Fadil Vokrri me një gol në minutën e 92-të dhe ia nxori verdhekaltërve një pikë.

Kosova vinte me motiv shtesë nga fitorja e parë në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës të enjten kundër Gjeorgjisë, por nuk ia doli ta nxjerrë më shumë se një pikë ndaj grekëve, pavarësisht se iu kthyen tifozët dardanë në stadium pas një mungesë rreth dyvjeçare.
10 për qind e kapacitetit të stadiumit në Prishtinë ishte i mbushur me tifozë në përkrahje të Kosovës, në përputhje me protokollin e qeverisë për masat anti-Covid.

Verdhekaltrit ngelin në vendin e tretë në Grupin B me katër pikë, gjashtë më pak se liderja Spanja, që e shkatërroi 5:0 Gjeorgjinë, dhe pesë më pak se Suedia në vendin e dytë. Derisa Spanja e ka një ndeshje më shumë se Kosova, Suedia e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Kosova e pret Spanjën në ndeshjen e ardhshme të mërkurën në Prishtinë.

Dardanët e mbizotëruan Greqinë me lojë dhe krijuan më shumë, megjithëse shënoi nga goditja e vetme në kornizën e portës greke.

Pavaresisht dominimit, skuadra e Challandes nuk arriti të krijojë ndonjë mundësi ideale shënimi në pjesën e parë apo të godasë brenda portës vizitore.

Grekët, në anën tjetër, shënuan në mundësinë e vetme që e kishin në këtë pjesë, kur Douvikas i iku mbrojtjes kosovare dhe shënoi me një goditje me të parën për ta mposhtur Arijanet Muricin.

Kosova ishte edhe më mbizotëruese në pjesën e dytë dhe Muriqi, sulmuesi i Lazios në Serie A, i pati dy raste të mira shënimi, kur nuk arriti ta godasë fare topin me kokë pas një harkimi fantastik nga Zymer Bytyçi dhe kur goditi jashtë portës me këmbën e djathtë brenda zonës.

Por Muriqi nuk e lëshoi mundësinë e tretë dhe kërceu më së largu për të shënuar me kokë pas një asisti nga Florent Hadergjonaj në minutën e 92-të.

Brohoritma e tifozëve dardanë pas këtij goli u dëgjuan në qendër të qytetit, të cilat i kishin munguar kombëtares rreth dy vjet, si pasojë e pandemisë koronavirus.

(Kosova Sot Online)