Përforcime nga favoritet, edicioni i ri te femrat pritet të jetë interesant

  • S.A /
  • 07 September 2021 - 14:28
Përforcime nga favoritet, edicioni i ri te femrat pritet të jetë interesant

Edicioni i ri në elitën e femrave pritet të jetë shumë interesant, për shkak të përforcimeve që kanë bërë tri skuadrat që do të luftojnë për titull, Prishtina, Bashkimi dhe Penza.

Në edicioni e kaluar, tri trofetë shkuan për tri skuadra, duke e bërë një nga edicionet më konkurruese dhe më interesante në dekadën e fundit.

Titullin e fitoi Penza e Pejës, Kupën e fitoi Prishtina dhe Superkupën, Bashkimi nga Prizreni.

Skuadra pejane ka humbur lideren Arbnore Përqukun, e cila ka kaluar te Prishtina, ndërsa do të mbështetet në kapitenen e saj Valbon Bytyqi. Penza gjithashtu ka rikthyer Jeta Zekën, si dhe u përforcua me Sihana Ramojën, e cila së fundi ishte te Trepça dhe Gresa Berishën nga Vëllaznimi, ndërsa emri i fundit është Briana Williams.

Prishtina përveç Arbnore Përqukut ka rikthyer edhe Marigona Rushitin, ndërsa u përforcua me basketbollisten nga Ferizaj, Agnesa Rrahmanin. Nga skuadra prishtinase drejt Olympiacosit u largua Alexis Tolefree, kurse erdhi Sarah Mgbaike nga Vëllaznimi.

Bashkimit drejt Superligës së Turqisë iu largua Saranda Daci, por skuadra prizrenase u përforcua me Era Shatrin nga Prishtina, si dhe Besjana Martinaj, kurse vazhduan me lojtaret vendore, duke përfshirë Irma Konjushën dhe Ulpiana Emrën. Bashkimi u përforcua edhe me Cox Tequana, Barnes Ines dhe Gilbert Kymee.

Xhiroja e parë e Superligës së Kosovës te femrat do të zhvillohet më 9/10 Tetor, ndërsa Superkupa e Kosovës zhvillohet më 4/5 Tetor.

Ndërkohë, Superkupa Mbarëkombëtare do të zhvillohet më 13/14 Tetor, kurse xhiroja e parë në Ligën Unike do të zhvillohet 20/21 Tetor.  

(Kosova Sot Online )