De Gea ia siguron Manchester Unitedi një fitore dramatike ndaj West Ham Unitedit

  • E.K /
  • 19 September 2021 - 17:43
 De Gea ia siguron Manchester Unitedi një fitore dramatike ndaj West Ham Unitedit

David de Gea ia ka siguruar Manchester Unitedit një fitore dramatike 2:1 ndaj West Hamit, pasi e priti penalltinë e Mark Nobel në frymën e fundit në Stadiumin Olimpik në Londër.

Nobel erdhi nga stoli në kohën shtesë, posaçërisht për të goditur nga penalltia që do të duhej t’ia nxirrte një pikë West Hamit në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit, por De Gea e lexoi goditjen e tij dhe u hodh në krahun e majtë për ta larguar topin.

Kjo është fitorja e tretë radhazi dhe e katërta në pesë ndeshjet e para për skuadrën e Ole Gunnar Solskjaer, që nënkupton se Unitedi tani është lider i përbashkët me Liverpoolin me nga 13 pikë.

Në një ndeshje zbavitëse në Londër, Mohamed Said Benrahma e kaloi skuadrën vendase në epërsi, pasi goditja e tij u devijua në rrjetën e portës së Unitedit nga Raphael Varane.

Por Cristiano Ronaldo, me golin e tij të tretë në dy ndeshjet e para që prej kthimit në Premierligë, e heshti stadiumin duke e barazuar rezultatin në 1:1 vetëm pesë minuta më vonë.

Derisa skuadra e David Moyes ishte më kërkuese dhe pritej ta kthente epërsinë, ishte Lingard ai që e ndëshkoi skuadrën e cila i ndihmoi të kthehej në binarë sezonin e kaluar.

Sulmuesi anglez shënoi gol të mrekullueshëm në minutën e 89-të për ta kthyer epërsinë e vizitorëve dhe zgjodhi të mos festonte në shenjë nderimi për ish-klubin.

Luke Shaw u penalizua për prekjen e topit me dorë në zonë dhe West Hami fitoi penallti.

Trajneri Moyes vendosi ta fusë në lojë Noblein posaçërisht për ta gjuajtur penalltinë. Mesfushori veteran nuk kishte prekur top me këmbë dhe goditjen e tij nga pika e bardhë e priti De Gea.

Kjo është ndeshja e tretë radhazi pa fitore për West Hamin, dy barazime dhe një humbje.

(Kosova Sot Online)