“Foden e çoi Milnerin në shtëpi me ambulancë” – Legjenda e Man Unitedit tallet me mesfushorin e Liverpoolit

  • G.G /
  • 04 October 2021 - 14:53
“Foden e çoi Milnerin në shtëpi me ambulancë” – Legjenda e Man Unitedit tallet me mesfushorin e Liverpoolit

Legjenda e Manchester Unitedit, Roy Keane, është tallur me James Milnerin e Liverpoolit, duke thënë se Phil Fodeni i Manchester Cityt e dërgoi atë në shtëpi me ambulancë në barazimin mes tyre në Anfield të dielën.

Liverpooli e kishte epërsinë e një goli dy herë, falë golave nga Sadio Mane dhe Mohamed Salah, por City u rikthye dy herë për ta barazuar rezultatin në Anfield përmes Phil Foden dhe Kevin De Bruyne,

Për shkak se mbrojtësi kryesor i krahut të djathtë, Trent Alexander-Arnold, mungoi shkaku i lëndimit – Milneri e zuri vendin e tij në mbrojtje kundër City.

35-vjeçari është njëri prej lojtarëve me më përvojë në Premierligë por hasi në shumë vështirësi kundër shkëlqesisë së Fodenit dhe Jack Grealishit.

Ai u ndëshkua me karton të verdhë për një ndërhyrje të ashpër ndaj Fodenit në pjesën e parë dhe befasisht i shpëtoi kartonit të kuq më vonë në pjesën e dytë kur e rrëzoi Bernardo Silvën.

Legjenda e Manchester Unitedit Keane e lartësoi Fodenin dhe tha se Milneri do të ishte i lumtur nëse do ta hiqte qafesh atë.

“Phil Foden ishte i jashtëzakonshëm dhe po e arrin një nivel të ri. Ai po fiton vetëbesim duke punuar me njërin prej trajnerëve më të mirë në botë”, tha Keane.

“Çdo gjë rreth tij sot ishte cilësi; pranimi i topit, marrja e vendimeve dhe goli. Kjo është ajo që kërkohet. Mendoj se Milner do ta hiqte qafesh me shumë kënaqësi. Mendoj se ai shkoi në shtëpi me ambulancë sonte”, shtoi  ai.

(Kosova Sot Online)