“Vendi i dytë? Shqiptarët s’dorëzohen kurrë, sa keq që do të luhet pa tifozë”

  • G.G /
  • 08 October 2021 - 15:29
“Vendi i dytë? Shqiptarët s’dorëzohen kurrë, sa keq që do të luhet pa tifozë”

Myrto Uzuni dhe Endre Botka janë intervistuar nga mediat në Hungari dhe beratasi flet edhe për raportin me shokun e skuadrës dhe betejën në fushën e blertë.

“Kemi shumë duele të bukura, por e ruajmë njëri-tjetrin. Endre është një mbrojtës shumë i mirë. Ka një zemër të madhe, lufton deri në fund. Mentaliteti i tij është si i imi, ai nuk dorëzohet kurrë.

Bëjmë shumë humor dhe shaka me njëri-tjetrin, por në futboll nuk bëhet shaka, sidomos me skuadrat kombëtare. Ne ishim më mirë në Elbasan dhe morëm 3 pikët. Nuk do të ishte e drejtë që të bëja humor. I ruajtëm për vete të gjitha ndjesitë e kësaj sfide”, ka thënë Uzuni.

Sulmuesi ka komentuar edhe ndeshjen e fituar në Elbasan: “Ne ishim më të motivuar sesa Hungaria. E donim patjetër fitoren. Ishte e rëndësishme për fatet e grupit dhe ruajtëm shanset për kualifikim. Luajtëm edhe për trajnerin Reja. Ai është një profesionist i jashtëzakonshëm, një trajner i madh dhe luftuam për të”.

Në lidhje me mungesën e tifozëve, Uzuni shton: “Më vjen keq që nuk do të ketë tifozë. Realisht më vjen. Do të ishte një atmosferë e jashtëzakonshme në ‘Puskas Arena’. Është bukur të luash futboll në atë atmosferë. Do të ishte diçka interesante. Të motivon të vraposh. Nuk kemi ndonjë avantazh të madh që nuk ka tifozë”.

“Vendi i dytë? Ne të gjithë lojtarët besojmë. Jemi pas Anglisë dhe na ndjekin Polonia me Hungarinë. Nuk po them që do të jetë e lehtë për të arritur vendin e dytë, por nuk është e pamundur. Kemi një ekip të mirë dhe me futbollistë që luajnë në kampionate shumë të forta. Shqiptarët nuk dorëzohen kurrë”, përfundon Uzuni.

(Kosova Sot Online)