Gjasula infektohet me koronavirus, mungon ndaj Polonisë

  • A.P /
  • 12 October 2021 - 16:14
Gjasula infektohet me koronavirus, mungon ndaj Polonisë

Një tjetër futbollist do t’i mungojë Kombëtares shqiptare në sfidën vendimtare ndaj Polonisë, që luhet këtë të martë në stadiumin “Air Albania” të Tiranës.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mesfushori Klaus Gjasula nuk do të jetë në dispozicion të skuadrës, pasi rezultoi pozitiv me Covid-19.

Futbollisti kuqezi ka pasur simptoma dhe ka bërë menjëherë testin me tampon, ku më pas ka rezultuar pozitiv. Në këto kushte në bazë të protokollit sanitar i gjithë ekipi dhe stafi teknik kanë kryer sërish testin me tampon dhe të gjithë kanë rezultuar negativ.

Klaus Gjasula bëhet kështu mungesa e pestë e kuqezinjve në ndeshjen shumë të rëndësishme ndaj Polonisë, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”.

Përveç mesfushorit trajnerit Reja do t’i mungojnë edhe Bekim Balaj e Berat Gjimshiti të dëmtuar, Endi Çekiçi i skualifikuar dhe Sokol Cikalleshi, i cili gjithashtu ka rezultuar pozitiv me Covid-19 në testet e një dite më parë.

(Kosova Sot Online)