Barcelona reagon ashpër pasi trajneri Koeman u sulmua nga tifozët pas humbjes ndaj Real Madridit

  • S.A /
  • 25 October 2021 - 09:19
Barcelona reagon ashpër pasi trajneri Koeman u sulmua nga tifozët pas humbjes ndaj Real Madridit

Barcelona i ka dënuar veprimet e dhunshme dhe përçmues të tifozëve ndaj trajnerit Ronald Koeman pranë stadiumit Camp Nou, pas humbjes 2:1 kundër Real Madridit të dielën.

Një grup i madh tifozësh iu vërsulën makinës së trajnerit të Barcelonës, Ronald Koeman, duke ia bllokuar shkurtimisht atij largimin nga Camp Nou pas humbjes kundër Real Madridit në El Clasico. Koeman është nën trysni të madhe tash e disa javë dhe disfata ndaj rivalit të përbetuar vetëm sa i zemëroi më shumë tifozët katalonas.Barcelona ka thënë se do të zbatojë masa siguri për të mos lejuar që një gjë e tillë të ndodhë përsëri.

David Alaba me një copë magjie në pjesën e parë dhe Lucas Vazquez me një gol në fund të pjesës së dytë ia siguruar triumfin e parë Carlo Ancelottit ndaj Barcelonës në Camp Nou si trajner.

Sergio Aguero e shënoi golin e tij të parë në fanellën e Barcelonës, i cili, megjithatë, i shërbeu vetëm sa për ngushëllim skuadrës së tij.

Kjo ishte humbja e dytë e Barcelonës në La Liga në nëntë ndeshje deri tani këtë sezon dhe e katërta në të gjitha garat në këtë fillimsezon.

Si pasojë, katalonasit bien në vendin e nëntë në renditjen e La Ligës me vetëm 15 pikë të mbledhura, gjashtë më pak se lideri Real Sociedad

“Barcelona i dënon publikisht veprimet e dhunshme dhe përçmuese ndaj trajnerit tonë kur ai po largohej nga Camp Nou. Klubi do të ndërmarrë masa disiplinore dhe të sigurisë, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos ndodhin më”, thuhet në reagimin e Barcelonës.

(Kosova Sot Online )