Arsenali e mund Watfordin dhe e kalon Man Unitedin në renditje, Conte e nis me barazim te Tottenhami

  • A.P /
  • 07 November 2021 - 17:18
Arsenali e mund Watfordin dhe e kalon Man Unitedin në renditje, Conte e nis me barazim te Tottenhami

Arsenali e ka mposhtur 1:0 Watfordin të dielën, për ta arritur fitoren e tretë radhazi dhe për ta kaluar Manchester Unitedin në renditjen e Premierligës.

Smith Rowe e shënoi golin e tri pikëve të vështira në Emirates në minutën e 56-të për skuadrën e Mikel Artetës, pasi Pierre-Emerick Aubameyang e kishte humbur penalltinë ne pjesën e parë.

Granit Xhaka mungoi në këtë takim, pasi ai është duke u shëruar nga lëndimi në gju.

Falë këtij triumfi, i treti radhazi, Arsenali tani ngrihet në vendin e pestë me 20 pikë, gjashtë më pak se lideri Chelsea dhe tri më shumë se Manchester Unitedi në vendin e gjashtë.

Topçinjtë do të përballen me Liverpoolin pas ndeshjeve të kombëtareve.

Watfordi ngel i 17-ti me vetëm 10 pikë nga 11 ndeshje.

Ndërkohë, në takimin tjetër të Premierligës të zhvilluar në të njëjtën kohë, Tottenhami barazoi pa gola me Evertonin në debutimin e Antonio Contes në stolin e Spurs në ligë.

Conte e zëvendësoi Nuno Espirito Santon, i cili u shkarkua pas humbjes 3:0 kundër Manchester Unitedit fundjavën e kaluar.

Takimi në Goodison Park u përshkua nga dy incidente në pjesën e dytë, pasi VAR-i ia shfuqizoi një penallti vendasve, para se ata të mbeteshin me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit të Holgate në minutën e 90-të.

Tottenhami ngel në vendin e nëntë me 16 pikë, një më shumë se Evertoni në të 11-tin.

(Kosova Sot Online)