Amir Rrahmani me përgjegjësi më të mëdha te Napoli

  • A.P /
  • 02 December 2021 - 18:28
Amir Rrahmani me përgjegjësi më të mëdha te Napoli

Probleme në horizont për Napolin dhe Kalidou Koulibaly teksa mbrojtësi pësoi një dëmtim në sfidën e mbrëmjes së djeshme ndaj Sassuolo.

Senegalezi ka tashmë në duar përgjigjet e analizave të cilat kanë evidentuar një problem në bicepsin femoral të këmbës së majtë, teksa ky vit mund të quhet i mbyllur për 30-vjeçarin.

Koulibaly do të humbasë sfida të rëndësishme në kampionat si ato ndaj Atalantës apo Milan, rivalë të drejtpërdrejtë për titullin, por edhe sfidën e Europa League ndaj Leicester. Ndërkohë, edhe në momentin kur mbrojtësi të rikuperojë nga dëmtimi, do të vihet menjëherë në dispozicion të kombëtares së Senegalit që do të jetë e angazhuar në Kupën e Afrikës.

Në këtë formë, telashet për trajnerin Luçiano Spalletti janë të mëdha, teksa Koulibaly do të rikthehet në skuadër vetëm në muajin shkurt. Sakaq, edhe për Amir Rrahmanin do të shtohen përgjegjësitë duke qenë se me siguri do të ketë më shumë punë, ndërsa ishte përshtatur më së miri me Koulibaly dhe tashmë duhet ta bëjë këtë me Juan Jesus.


(Kosova Sot Online)