
Lazio – Galatasaray në garë për vendin e parë në Grupin E, starton përsëri Strakosha

Lazio e Vedat Muriqit pret sonte në Olimpico skuadrën e Stambollit, Galatasaray
Është kjo një ndeshje për të fituar Grupin E ku janë të dyja këto skuadra.
E derisa ato të dyja e kanë siguruar kalimin tutje në fazën tjetër, çështje do të mbetet se cila prej tyre do ta fitojë grupin.
Për momentin Galatasaray është në vendin e parë me 11 pikë, kurse Lazio në vendin e dytë me 8 pikë. Të dyja skuadrat kanë edhe golëdallimin e njëjtë.
Një fitore e Lazios kundër Galatasarayt sonte do të bënte që të jenë italianët ata që do ta fitonin grupin.
Kështu, Sarri ka startuar me formacionin 4-3-3 e ku treshja e sulmit përbëhet prej Pedros, Immobiles dhe Zaccognit.
Vlen të theksojmë se Thomas Strakosha ka startuar në këtë ndeshje, ashtu sikurse ka startuar në të gjitha ndeshjet e Europa Ligës këtë sezon. Po ashtu edhe Hysaj ka startuar nga minuta e parë, kurse Muriqi si zakonisht edhe këtë ndeshje është në bankën rezervë.
Në anën tjetër, trajneri i Galatasarayit, Fatih Terim ka startuar me formacion 4-3-3 me treshen sulmuese: Babel, Diagne dhe Kerem Arturkoglu.
(Kosova Sot Online)