Villarreal skuadra e 16 që kalon tutje në Ligën e Kampionëve

  • A.P /
  • 09 December 2021 - 21:09
Villarreal skuadra e 16 që kalon tutje në Ligën e Kampionëve

Villarreal e ka kryer detyrën e saj në Bergamo sonte duke e mposhtur me rezultat 2-3 Atalantan. Danjuma shënoi dy gola për Villarreal, derisa një Capue. Golat e vonshëm të Malinovsky dhe Zapata nuk mjaftuan për Atalantan që ta kthente këtë ndeshje. Me këtë fitore Villarreal i bashkohet Manchester United si skuadër e kualifikuar nga Grupi F në Ligën e Kampionëve

Villarreal është skuadra e fundit që është kualifikuar në fazën e 1/8-ës së finales në Ligën e Kampionëve. Kjo ndeshje ishte paraparë për t’u luajtur mbrëmë, por bora e madhe kishte bërë që ajo të anulohet dhe të luhet sonte.

Atalanta konsiderohej më favorit për ta fituar këtë ndeshje, por që Villarreal e kishte studiuar mirë lojën dhe arriti të kthehet në Spanjë me tri pikë.

Qysh në minutën e tretë Villarreal do të shënonte gol pasi që shfrytëzon një kundërsulm për të dalë ballëpërballë me portierin dhe shënuar gol.

Nëndetësja e verdhë do të vazhdonte me lojë të bukur dhe do të ishte Capoue që do ta dyfishonte epërsinë e Villarreal dy minuta para se të përfundonte pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, Villarreal prapë ishin më kërkues dhe do të shënonin gol në minutën e 51-të. Prapë do të ishte Danjuma që do ta shfrytëzonte pasimin e Morenos për golin e tretë.

Pas golit të tretë, Atalanta ishte më kërkuese dhe shënoi golin e parë me anë të Ruslan Malinovskit në minutën e 71-të.

Atalanta vazhdoi presionin dhe e ngushtoi epërsinë në minutën e 80-të me anë të Zapatas.

Pavarësisht presionit të madh që bën në fund të pjesës së parë kjo nuk mjaftoi që Atalanta të barazonte apo ta fitonte këtë ndeshje, pasi që ishte vetëm fitorja ajo që do t’i dërgonte ata për në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve.

Villarreal me këtë fitore e përfundon si e dyta Grupin F , pas Manchester United. Atalanta në anën tjetër do ta provojë fatin në Europa Ligë pasi që përfundoi e treta në grup.

(Kosova Sot Online)