Thuram zbulon fshehtësitë nga zhveshtorja e Barcelonës: Ronaldo lojtari më i fortë

  • A.P /
  • 13 December 2021 - 14:57
Thuram zbulon fshehtësitë nga zhveshtorja e Barcelonës: Ronaldo lojtari më i fortë

Lilian Thuram ka qenë një ndër lojtarët më të mirë në rolin e tij, teksa veç kombëtares është aktivizuar edhe me skuadra prestigjioze si Juventus apo Barcelona.

Së fundmi, francezi ka përfunduar në objektivin e L’Equipe, aty ku ka zbuluar disa aspekte interesante nga e kaluara e tij si futbollist.

Thuram ka theksuar se lojtari më i fortë me të cilin ka luajtur në një ekip ka qenë Zinedine Zidane, ndërsa pa treguar emrin, tregon se një prej lojtarëve të Barcelonës ka përfunduar i mbyllur në dhomën e masazhave si pasojë e alkoolit.

Lojtari më i fortë me të cilin ke luajtur? “Zinedine Zidane. Hera e parë që e njoha ishte në kombëtaren e Francës, kur ishte 17-vjeç e gjysmë. Gjatë momentit të nxehmjes filloi të bënte xhonglime me topin, e hidhte topin në ajër dhe më pas e ulte në një mënyrë shumë të bukur. Nuk kisha para asnjë në atë moshë ta bënte atë. Më pas e pashë të konfirmohej në Itali, por nuk më pëlqejnë njerëzit që thonë se kishte vetëm talent. Ai punonte shumë, ishte rigoroz dhe me një karakter të madh”.

Lojtari më i fortë që ke pasur si kundërshtar? “Sigurisht, Ronaldo. Nuk kishte rëndësi se ku e merrte topin, e gjithë bota do të duhej të ishte në gatishmëri sepse ai mund të niste një aksion goli. Por, ishte gjithnjë kënaqësi të luaje kundër tij, kur luan kundër lojtarëve të mëdhenj është gjithnjë një argëtim”.

Po lojtari më i egër? “Te Parma kam takuar Fernando Couto, një djalë i cili në jetën e përditshme ishte shumë i qetë dhe i sjellshëm, por në fushë shndërrohej në një tjetër person”.

Lojtari që kishte më shumë qejf festat? “Ka qenë një lojtar te Barcelona, por nuk do t’ia them emrin. Festonte shumë dhe ndonjëherë nuk mundej as të stërvitej, në mëngjes e shihnim se nuk ishte në gjendje të mirë. Njëherë e mbyllëm në dhomën e masazheve që të flinte gjumë”.

(Kosova Sot Online)