Ia shënoi golin e fundit në karrierë, Real Madridi me mesazh për pensionimin e Agueros

  • A.P /
  • 15 December 2021 - 14:57
Ia shënoi golin e fundit në karrierë, Real Madridi me mesazh për pensionimin e Agueros

Real Madridi i ka uruar fat të mbarë Sergio Agueros, duke e quajtur nder garimin ndaj tij, pasi ish-sulmuesi i Atletico Madridit, Manchester City dhe Barcelonës u pensionua.

Në një konferencë emocionale në Camp Nou, Aguero i përlotur njoftoi se ka vendosur t’i varë këpucët në gozhdë, për shkak të telasheve në zemër.

Sulmuesi argjentinas përjetoi vështirësi në frymëmarrje dhe shtrëngim në gjoks në një ndeshje të Barçës kundër Alavesit më 30 tetor. Testet mjekësore gjetën se 33-vjeçari ka çrregullime në të rrahurat e zemrës.

Gjatë karrierës së tij të bujshme, Aguero bëri emër kur iu bashkua Atletico Madridit në La Liga, duke i shënuar 101 gola në 234 paraqitje dhe duke e fituar Ligën e Evropës më 2010.

Dhe goli i tij i fundit në karrierë u shënua pikërisht kundër Real Madridit në humbjen e Barcelonës 2:1 në Camp Nou në tetor.

Në një reagim për media pas pensionimit të tij, Real Madridi shkroi: “Ishte nder të garonim kundër një lojtari si ju, Sergio Aguero, njëri prej lojtarëve më të mirë në botë. Paçi fat ju dhe familja juaj!”

Ai i bëri vetëm pesë paraqitje për katalonasit në të gjitha garat, duke e shënuar vetëm atë gol në El Clasico.

(Kosova Sot Online)