Manchester City e shkatërron Newcastle Unitedin, Chelsea ndalet nga Wolves

  • A.P /
  • 19 December 2021 - 17:04
Manchester City e shkatërron Newcastle Unitedin, Chelsea ndalet nga Wolves

Manchester City e ka shkatërruar plotësisht 4:0 Newcastle Unitedin, ndërkohë që Chelsea është ndalur nga Wolves me një barazim pa gola, duke e bërë një tjetër hap mbrapa në garë për titull.

Ruben Dias e hapi serinë e golave pas vetëm pesë minutave lojë në St. James’ Park, para se Joao Cancelo ta dyfishonte epërsinë në minutën e 27-të.

Riyad Mahrez e trefishoi epërsinë për skuadrën e Pep Guardiolës në minutën e 63-të, me Raheem Sterling që e vulosi fitoren e thellë katër minuta para fundit.

City e shkeli plotësisht Unitedin duke e mbajtur topin në këmbët e veta 71% të kohës dhe duke i lejuar vendasit ta bëjnë vetëm një goditje në kornizën e portës së Edersonit gjatë 90 minutave.

Kjo ishte fitorja e tetë radhazi për Cityn në Premierligë dhe bën që skuadra e Guardiolës t’i mbledhë 44 pikë në vendin e parë në tabelë, katër më shumë se Liverpooli që sot më vonë takohet me Tottenhamin.

Newcastle, ndërkohë, vazhdon të shohë ditë të vështira dhe ngel e parafundit në tabelë me vetëm 10 pikë nga 18 ndeshje, tri pikë larg zonës së shpëtimit nga rënia prej ligës.

Newcastle United 0:4 Manchester City | Golat dhe rastet

Në ndeshjet tjetër të zhvilluar në të njëjtën kohë, Chelsea është ndalur nga Wolves me një barazim 0:0, duke e bërë një hap tjetër mbrapa në garë për titull.

Chelsea kishte kërkuar nga Premierliga ta shtynte këtë ndeshje për shkak se kisha lojtarë kyçë janë infektuar me Covid-19, por kërkesa e saj u refuzua dhe Thomas Tuchel i kishte vetëm gjashtë futbollistë rezervë në stol.

Të kaltrit mbizotëruan në Molineux Stadium, por nuk ishin në gjendje të krijonin mjaftueshëm për ta mposhtur Wolvesin.

Ky ishte barazimi i dytë radhazi për skuadrën e Tuchel dhe ndeshja e katërt në gjashtë të fundit që lëshon pikë.

Si pasojë, Chelsea mbetet i treti në tabelë dhe tani ngel gjashtë pikë mbrapa liderit Manchester City.

(Kosova Sot Online)