Deklarohet Robin Krasniqi pasi IBO nuk do ta rivlersojë meçin ndaj Boesel: Do të ketë meç të tretë ku do ta nokautojë

  • S.A /
  • 30 December 2021 - 12:26
Deklarohet Robin Krasniqi pasi IBO nuk do ta rivlersojë meçin ndaj Boesel: Do të ketë meç të tretë ku do ta nokautojë

Boksieri Robin Krasniqi, ka reaguar pasi federata botërore IBO ka thënë se nuk do të ketë një rivlerësim të meçit së dytë të tij me Dominic Boeselin.

Krasniqi u mposht me pikë me vlerësim të gjyqtarëve, në luftën për titullin e botës në versionin IBO në kategorinë gjysmë të rëndë, luftë që u mbajt në tetor të këtij viti.

Ishte lufta e dytë mes tyre, pasi të parën Krasniqi e kishte fituar me nokaut në raund të tretë.

Krasniqi ka kontestuar rezultatin e luftës së dytë dhe madje kishte aranzhuar gjyqtarë gjermanë për të bërë një rivlerësim, ku ata unanimisht ia dhanë fitoren.

Por, IBO nuk është pajtuar me hapat e ndërmarra nga Krasniqi dhe presidenti i kësaj federate, ka thënë se ekipi i Krasniqit nuk ka ndjekur hapat e federatës për ankesë dhe për IBO çështja e kësaj përballje është e mbyllur.

Por, Krasniqi ka thënë se nuk do ta lë me kaq dhe se do të ketë edhe meç të tretë me Boeselin në vitin 2022, ku edhe do ta nokautojë atë.

“Po mundohen tash fajtorët t’i paraqesin si viktima, por nuk do t’ia dalin. Faktet flasin. Se çfarë qëndron prapa këtij ‘refuzimi’ të IBO-së, do të mësojmë gjatë procedurave të mëtutjeshme”.

“Lufta për drejtësi do të vazhdojë. Do të ketë luftë të tretë dhe do të duhet ta fitojë atë sërish me nokaut, siç e fitova luftën e parë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

(Kosova Sot Online )