Vazhdon drama: Djokovicit mund t’i ndalohet hyrja në Australi

  • S.A /
  • 05 January 2022 - 11:43
Vazhdon drama: Djokovicit mund t’i ndalohet hyrja në Australi

Tenistit serb Novak Djokovici mund t’i ndalohet hyrja në Australi për ta mbrojtur kurorën e Australian Open, edhe pse mori leje për të garuar pa qenë i vaksinuar. Ndaj Djokovicit është duke u bërë thirrje e madhe për të shpjeguar vetë se si ia arriti ta marrë pëlqimin për t’u futur në Australi për të garuar në grand slamin e parë të vitit, pa treguar nëse është i vaksinuar apo jo. Për të marrë pjesë në këtë turne, të gjithë lojtarët dhe stafi i turneut janë të detyruar të ofrojnë dëshmi se janë të vaksinuar apo se përbejnë përjashtim mjekësor nga vaksinimi.

Organizatori i turneut pretendon se tenisti serb nuk është trajtuar në mënyrë të veçantë. Por australianët – shumë prej të cilëve ende nuk mund të udhëtojnë brenda shtetit apo në botë – i kanë kritikuar ashpër zyrtarët e turneut, politikanët e vendit dhe vetë Djokovicin. Djokovici pritet të mbërrijë në Australi sot gjatë ditës përmes një fluturimi privat nga Serbia. Por Ministrja e Punëve të Brendshme i Australisë, Karen Andrews, ka paralajmëruar se autoritetet kufitare mund të ndërhyjnë për ta ndalur serbin. “Çdo person që kërkon të futet në Australi duhet patjetër ta bëjë këtë në përputhje me rregullat tona të rrepta kufitare”, ka thënë ajo. “Derisa Qeveria e Victorias dhe Tenis Australia mund t’ua lejojnë pjesëmarrjen në Australian Open një lojtari të pavaksinuar, Qeveria e Australisë është ajo që i bën rregullat në kufirin australian”, ka theksuar ajo. Victoria, shtet në juglindje të Australisë, dhe zyrtarët e turneut në Melbourne i kërkesën për përjashtim mjekësor nga vaksinimi. Por as zyrtarët e as Djokovici nuk kanë treguar se mbi çfarë bazash tenistit serb i lejohet të mos vaksinohet kundër koronavirusit. 

(Kosova Sot Online )