
“Kërcënon atë që ka mbetur nga karriera e tij”, Becker i kërkon Djokovicit të vaksinohet

Ish-tenisti numër një në botë, Boris Becker i ka kërkuar Novak Djokovicit që të vaksinohet, duke thënë se ngurrimi i tij për ta bërë këtë kërcënon përpjekjen e tij për të qenë lojtari më i mirë i të gjitha kohërave.
Numri 1 i botës tha të martën se atij i ishte dhënë një përjashtim për të hyrë në Australi për të konkurruar në Australian Open.
Megjithatë, që atëherë atij i është ndaluar hyrja në vend. Djokovic është zhvendosur në një hotel karantine në Melburn pasi viza e tij për të hyrë në vend iu refuzua të mërkurën kur Forcat Kufitare Australiane pretenduan se Djokovic nuk “siguroi provat e duhura për të përmbushur kërkesat e hyrjes”.
Dhe Becker, i cili e ka trajnuar Djokovicin midis 2014 dhe 2016, ka thënë për Daily Mail se serbi po bën një gabim të madh duke mos u vaksinuar.
“Unë pothuajse do ta konsideroja atë si familje – por si në të gjitha familjet ndonjëherë keni mosmarrëveshje,” filloi Becker.
“Katër herë isha aty kur ai fitoi Australian Open, kështu që jam plotësisht i vetëdijshëm për fuqitë e tij të mëdha si një konkurrent i jashtëzakonshëm. Unë gjithashtu mendoj se ai ka një karakter të madh që mund të keqkuptohet lehtësisht. Megjithatë, këto pika të forta mund të jenë edhe dobësi. E njëjta vendosmëri e pabesueshme që pashë të fitonte kaq shumë ndeshje, mund të jetë një dobësi me kokëfortësinë e tij”, deklaroi ai.
Becker konfirmoi gjithashtu se ndërsa kishte folur me trajnerin e tij aktual, Goran Ivanisevic, i cili është i vaksinuar, ai ende nuk ka folur me vetë lojtarin, por beson se 34-vjeçari do të pendohet nëse nuk e merr vaksinën.
“Kur ai mbërriti në aeroportin e Melburnit unë po shkëmbeja mesazhe me Goran Ivanisevic, trajnerin që po e shoqëron. Goran ishte në një dhomë të veçantë, i shkëputur nga Novak sepse ai dhe pjesa tjetër e ekipit ishin lejuar të hynin në Australi”, theksoiBecker.
“Unë nuk pata mundësinë të flisja me Novakun, por do t’i bëja thirrje që të vaksinohej – megjithëse nëse ai do të dëgjonte është një çështje tjetër. Unë gjithashtu pranoj që si një person rreth të pesëdhjetave e shikoj shëndetin tim në një mënyrë tjetër nga ato në të njëzetat dhe të tridhjetave që ndihen më të pathyeshëm. Kam pasur biseda me fëmijët e mi, të cilët janë në atë grup, duke i bindur ata që të bëjnë vaksinën. A do ta bëjë Novak këtë hap? Nuk jam i sigurt se do ta bëjë”, vazhdoi ai.
“Ai ka tepër vullnet të fortë, me besime shumë të forta. Nëse nuk e bën, atëherë në 10 vjet ai do të shikojë prapa dhe do të kuptojë se ka bërë një gabim.Nuk ka të bëjë vetëm me Australinë. Fakti është se ne po jetojmë në një botë tjetër dhe ai do ta ketë shumë të vështirë të jetojë jetën e një tenisti profesionist që udhëton pa vaksinuar.Këto janë rregullat, i pëlqejnë apo jo dikujt dhe duhet ta pranosh”, përfundoi Becker.
(Kosova Sot Online)