Djokovic e fitoi apelin, por sërish mund të mbetet pa garuar në Australian Open

  • S.A /
  • 10 January 2022 - 08:38
Djokovic e fitoi apelin, por sërish mund të mbetet pa garuar në Australian Open

Gjykata federale australiane ka urdhëruar që të prishet vendimi që tenistit serb Novak Djokovic t’i anulohet viza.

Gjykatësi ka urdhëruar që Djokovic menjëherë të lirohet nga qendra ku është mbajtur ditëve të fundit dhe që t’i paguhen të gjitha shpenzimet.

Por këshilltari i qeverisë australiane, Christopher Tran, ka zbuluar se ministri i imigracionit do të konsiderojë ushtrimin e një fuqie personale për të anuluar vizën e Djokovicit, që do të thotë se ai nuk është i garantuar të qëndrojë dhe të marrë pjesë në Australian Open.

Vendimi që po shqyrtohet tani për t’i anuluar sërish vizën Djokovic do të rezultonte që ai të përjashtohej nga Australia për tre vjet.

Djokovic ishte bllokuar në Australi që nga mëngjesi i së enjtes. Ai mbërriti në vend një natë më parë, por përfundoi i ndaluar në aeroport pasi kishte paraqitur një certifikatë përjashtimi nga vaksinimi, e cila nuk u njoh si e vlefshme nga autoritetet.

Pasi kaloi rreth tetë orë në aeroport dhe iu anulua viza, ai u vendos në një hotel të posaçëm emigracioni australian, të rezervuar për refugjatët, ku priti seancën dëgjimore.

(Kosova Sot Online )