Po vijnë ditë të rënda për ish krerët e UCK-së në Gjykatën Speciale, dosja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit shpaloset gjatë këtij viti

Po vijnë ditë të rënda për ish krerët e UCK-së në Gjykatën Speciale, dosja e  Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit shpaloset gjatë këtij viti

Gani Qarri

  • 10 January 2022 - 07:51

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Ky vit i ri, pra viti 2022, pritet të jetë përfundimisht viti kur do të nis gjykimi edhe ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, ndonëse për momentin ende nuk dihet saktë se cila do të jetë periudha e fillimit dinamik të këtij procesi, por ajo që dihet është se, numri i të ftuarve dhe i të intervistuarve në dy vitet e fundit, në cilësinë e të dyshuarit është shumë më i madh.

-Fillimi i vitit 2022, duket se vërtet do të jetë një vit i nxehtë dhe shumë dinamik, sa u takon zhvillimeve në Gjykatën Speciale, ku pritet të zgjerohet procedura edhe me aktakuza të reja për ata që janë intervistuar e po mbahen “rezervë”, një vit vendimtar i proceseve që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë. Vitin e kaluar nisi fillimi i gjykimeve me dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati dhe në rastin e tyre, kanë dëshmuar disa dëshmitarë të prokurorisë dhe të mbrojtjes, të cilët po përballen me akuza për pengim të administrimit të drejtësisë, shkelje të fshehtësisë së procedurës, hakmarrje, frikësim gjatë procedurës penale si dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare.

Ndërsa një gjykim më me peshë dhe serioz në Hagë ka nisur kundër ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa, ndaj të cilit rëndojnë akuza të rënda për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, kurse procesi që pritet të merr më së shumti kohë dhe vëmendje është ai i cili, mendohet se do të nisë këtë vit, ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

E ndoshta ky edhe ishte njëri nga shkaqet, që u refuzua lirimi i tyre nga paraburgimi, pavarësisht garancisë që dha për ta, Policia e Kosovës, e nuk u pranua as garancia për Thaçin, siç u tha nga dy vende të treta, avokatët e të cilëve kanë apeluar vendimin e gjyqtarit paraprak që ua refuzoi lirimin. Ky vit i ri, pra viti 2022 pritet të jetë përfundimisht viti kur do të nis gjykimi edhe ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, ndonëse për momentin ende nuk dihet saktë se cila do të jetë periudha e fillimit dinamik të këtij procesi, por ajo që dihet është se, numri i të ftuarve dhe i të intervistuarve në dy vitet e fundit, në cilësinë e të dyshuarit është shumë më i madh.

Siç dihet Gjykata Speciale për krime lufte, deri më tani ka ngritur vetëm tri aktakuza ndaj gjashtë personave dhe gjatë vitit që lamë pas, nuk është njoftuar, as kishte paralajmërime për nisjen e ndonjë procedure të re, por kjo nuk e përjashton mundësinë, që në vijim të këtij viti, të ngritën aktakuza të tjera, nga gjykata në fjalë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".