Diktatura e futbollit, centralizimi i votës së FSHF ”betonizon” pozitat e Armando Dukës

  • A.P /
  • 13 January 2022 - 19:09
Diktatura e futbollit, centralizimi i votës së FSHF ”betonizon” pozitat e Armando Dukës

Njëzet vite në krye të futbollit shqiptar, pesë mandate të fituara dhe kandidat për të gjashtin për të ruajtur “mbretërimin” e tij në FSHF, Armand Duka ka ndryshuar sistemin, duke centralizuar votën. 20 klube humbën të drejtën e votës në vendimmarrje dhe votat e tyre iu transferuan Shoqatave Rajonale të Futbollit, organizma në varësi direkte të Federatës.

Në këtë mënyrë, Armand Duka po shtron rrugën drejt fitores për herë të gjashtë në Asamblenë Zgjedhore të FSHF-së, që do të mbahet në periudhën mes shkurtit ose marsit të vitit 2022.

Më 18 dhjetor të vitit 2020, në Asamblenë e Përgjithshme, të Jashtëzakonshme, të zhvilluar online prej pandemisë, me 56 vota pro dhe një abstenim FSHF ndryshoi statutin. Në mënyrë arbitrare dhe të paqartë skuadrat amatore pranuan dhe miratuan me votë propozimin e Federatës së Futbollit, që ato të mos kishin më të drejtë vote në Asambletë e radhës.

Parimi “Një anëtar, një votë” u hoq. Nga 54 klube, që vendosnin në vitet e mëparshme, e drejta e votës direkte i mbetej vetëm 26 skuadrave.

Si rezultat i këtij ndryshimi shoqatave rajonale, të cilat varen drejtpërdrejt nga Federata, iu deleguan votat e shumë klubeve, një “hile” kjo që po betonizon pozitat dominuese të Armand Dukës në krye të Federatës së Futbollit shqiptar.

Dokumenti zyrtar i Asamblesë së Përgjithshme, të Jashtëzakonshme Statusore, Neni 13, pika 1, 18 dhjetor 2020, ku përcaktohet mënyra e re e anëtarësimit në FSHF

Ndryshimi nga statuti i vitit 2019 ishte thelbësor. Deri në atë kohë, klubet dhe shoqatat rajonale ishin përfshirë si anëtare me të drejta të plota. Me rregullat e reja, anëtarësimi në FSHF u nda në të “drejtpërdrejtë” ose në të “tërthortë”.

Dokumenti zyrtar i statutit të mëparshëm të FSHF, miratuar nga Asambleja në vitin 2019

Pas kleçkës në paragrafin 1 të nenit 13, ku përcaktohej anëtarësia në Federatën e Futbollit, pika 3 e po këtij neni përgatiste terrenin për të lënë jashtë vendimmarrjes skuadrat e vogla.

Në kuptim të këtij statusi anëtarët e drejtpërdrejtë janë “klubet e Kategorisë Superiore, ata të Kategorisë së Parë, Shoqatat Rajonale dhe Shoqatat e profesioneve që lidhen me futbollin”; që do të thotë se në vendin tonë vetëm 26 klube funksionojnë sipas parimit të “drejtpërdrejtë” dhe referuar statutit mund të votojnë sipas parimit, Një anëtar, një votë. Të gjithë të tjerët, 12 ekipe të Kategorisë së Dytë dhe 6 deri në 8 ekipe të Kategorisë së Tretë humbën të drejtën e votës, duke u cilësuar “anëtarë të tërthortë”.

Paradoksalisht, votat e tyre u transferuan te Shoqatat Rajonale të Futbollit, që deri në vitin 2019 kishin tetë vota.

Gjithçka ndodhi bazuar në nenin 28, paragrafi 2 (b), një tjetër lëvizje për të “blerë” votën e lirë, duke qenë se shoqatat rajonale janë krijuar dhe mbahen gjallë me pagesat e drejtpërdrejta që jepen nga FSHF.

Në këtë nen saktësohet se “numri i delegatëve, që do të përfaqësojnë futbollin amator në Asamble, do të jetë i barabartë me numrin e delegatëve të futbollit profesionist”.

Duke qenë se Kategoria Superiore, me 10 ekipe dhe Kategoria e Parë, me 16 krijonin një total prej 26 delegatësh, edhe Shoqatat Rajonale kaluan nga 8 në 26 vota.

(Kosova Sot Online)