Feronikeli në gjendje të mjerueshme

  • A.P /
  • 20 janar 2022 - 19:30
Feronikeli në gjendje të mjerueshme

Kapiteni Lapidar Lladrovci, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me situatën që e ka kapluar Feronikelin.

Klubi është në vështirësi ekonomike, madje sipas Lladrovcit, rrezikon edhe të shuhet.

Reagimi i tij vjen pas largimit të kryetarit të deritanishëm, Naser Ramaj, i cili para pak ditësh konfirmoi se nuk do të investojë më në Feronikel si pasojë e krizës financiare.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, duke shprehur shqetësimet e tij me situatën e rëndë, kërkon ndihmë për të shpëtuar klubin, raporton Gazeta Express.

Postimi i Lladrovcit në Facebook:

“Të dashur tifozë (Tigrat e zi), simpatizantë të klubit tonë të zemrës dhe qytetit, 

Para 10 viteve iu bashkova Niklit si një i ri që ëndërr e kishte të bëhej futbollist profesionist. E filluam në ligën e parë, për t’u ngjitur po atë sezon në Superligë, duke e dominuar ligën e parë. 

Pas pak kohësh, me një përkushtim profesional të kryesisë dhe stafit teknik e lojtarëve, filluam ta shkruajmë historinë në futbollin e Kosovës së pasluftës, duke fituar shumë trofe me radhë, si kupa, kampionate dhe superkupa të Republikës së Kosovës. Nikli, nga një ekip inferior shumë shpejtë u ngrit duke u bërë ekipi i 2-të më i trofeshëm në vendin tonë. 

Pas pranimit në UEFA, shijuam arenën ndërkombëtare ku luajtëm me sukses në ligën e Kampionëve dhe atë të Evropës, emocione që do t’i mbajë kujtim përjetë. Ndërsa, kulmi ishte ndeshja miqësore ndaj ekipit ndër më të mëdhenjtë në Evropë dhe në botë, AC Milan. Ishte kjo një ëndërr jona e bërë realitet. E gjitha kjo falë punës dhe angazhimit të Kryetarit dhe Kryesisë së klubit. 

Mirëpo, të gjithë jemi dëshmitarë të vitit që kemi lënë pas. Një vit shumë i vështirë për ekipin, me probleme financiare të mëdha dhe borxhe të shumta të papaguara, të cilat kulmuan me bllokimin e merkatos nga futbollistë të cilët kërkojnë të drejtën e tyre që t’u përmbushen kontratat, e ku shumica e lojtarëve janë larguar, ndërsa pjesa e mbetur e kampionatit pritet të vazhdohet me juniorë. 

Rënia në ligen e parë duket e paevitueshme, mirëpo çfarë pastaj?! 

Dikur krenaria e qytetit dhe klubi me të cilin identifikohej Drenasi, sot i zhytur në borxhe, nga keqmenaxhimi, kryesi e cila e çoi njëherë në kulme klubin dhe në fund, po e fundos. Gabimi më i madh ishte afrimi në kryesi i njerëzve që ishin larg me sportin, të cilëve nuk u interesonte shumë performanca e klubit, sepse nuk ishin të kësaj fushe. 

Pse kryetar?

Klubi nuk ka merituar të lihet sikur të ishte një fëmijë bonjak, i rritur me shumë mund. Shumë kryesi, lojtarë, staf teknik e dashamirës të sportit nga Drenasi dhe më gjerë, kanë vënë në shërbim të klubit dije, përvojë, mjete, djersë, gjak, e shumë dashuri, për ta ngritur në nivelet e arritura. 

Tash, pa arsye të fuqishme, po shkon drejt falimentimit. 
Klubi ynë i zemrës, Nikli, është në zemrat e çdo fëmije të komunës tonë, duke u bërë ëndërr e shumë të rinjve për të luajtur me fanellën tonë. Kjo është më e rënda, shuarja e një emri të dashur për të gjithë neve.

Fundi i karrierës time është afër. Kurrë nuk do të kisha dashur të vijonte në këtë mënyrë fati i Niklit. Nikli i ka merituar majat e futbollit të Kosovës, me tifoz besnik dhe stadiumin e tej mbushur!

Me respekt, krenari por edhe pikëllim të thellë, Kapiteni, Lapidar Lladrovci (5)!

P.S. Në mbledhjen e fundit të Kryetarit të Komunës me donatorët dhe ish Kryetarin e Klubit, ku u shtrua çështja e menaxhimit të borxhit, nuk u arrit asnjë sukses. Ai që mund të ndihmojë, duhej ta bëj, për Niklin, për Drenasin dhe futbollin e Kosovës! Duhej të gjendej zgjidhje për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e një klubi që ka dëshmuar se ka dashni për spektatorët, ka moral, karakter dhe pasion për sportin dhe futbollin e shkëlqyer që ofron. 

Nikli, dashuri që s’shuhet kurrë!.

(Kosova Sot Online)