Ekipi i Kosovës parakalon në ceremoninë hapëse të Olimpiadës në Kinë, Tahiri bartës i flamurit

  • G.g /
  • 04 February 2022 - 14:24
Ekipi i Kosovës parakalon në ceremoninë hapëse të Olimpiadës në Kinë, Tahiri bartës i flamurit

Kosova sapo ka parakaluar në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore, të cilat mbahen në Pekin të Kinës deri më 20 shkurt.

Në këtë ceremoni priu skitari Albin Tahiri, si bartës i flamurit tonë shtetëror. Tahiri është shoqëruar nga një ekip teknik i Komitetit Olimpik të Kosovës, ndërsa ka munguar skitarja Kiana Kryeziu.

Ishte paraparë që ekipit kosovar në ceremoni t’i printe Kiana Kryeziu bashkë me Albin Tahirin.

Por Kiana nuk u lejua të marrë pjesë në ceremoni për shkak se kishte pasur kontakt me trajnerin Agim Pupovci, i cili ka rezultuar pozitiv në një test të Covidit, ndonëse nuk ka simptoma dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.

Trajneri kosovar është karantinuar

Krahas ekipit kosovar, edhe shumë ekipe tjera olimpike janë përgjysmuar në ceremoninë hapëse shkaku i kontaktit te personave me personat tjerë që kanë rezultuar pozitiv me koronavirus.

Albin Tahiri dhe Kiana Kryeziu do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat e 24-ta Olimpike Dimërore “Pekini 2022”.

Të dy skitarët kanë përmbushur normat olimpike në ciklin kualifikues.

Express shkruan se Kosova është në mesin e 90 shteteve pjesëmarrëse në Olimpiadën e Pekinit.

Tahiri, 32-vjeçar, ka fituar katër norma olimpike në disiplinat e sllallomit, sllallomit të madh, kombinimit alpin dhe lëshimit.

Kurse, 17-vjeçarja Kiana Kryeziu është kualifikuar në disiplinën e sllallomit të madh.

Kiana është bërë sportistja e parë femër që do ta përfaqësojnë vendin tonë në një Olimpiadë dimërore.

Albin Tahiri do ta bëjë lëshimin e parë më 6 shkurt, kurse një ditë me vonë, Kiana Kryeziu do t’i zhvillon dy gara.

Më 10 shkurt Albini Tahiri garon sërish me dy lëshime, ndërsa më 13 shkurt do të vazhdojë me dy gara tjera. Dy lëshimet e fundit Tahiri do t’i realizojë me 16 shkurt.

Organizatorët e Lojërave Olimpike Dimërore kanë njoftuar për 55 raste të tjera me koronavirus. Siç raportoi Komiteti Organizativ të enjten, 29 infeksione u gjetën te pjesëmarrësit e Lojërave që kishin udhëtuar një ditë më parë.

Në mesin e 55 të infektuarve, 26 janë sportistë.

Në qendër të vëmendjes ka ardhur politika kineze karshi koronavirusit duke treguar zero tolerancë.

Kjo mund të ndikojë që shumë sportist të mund t’i humbasin edhe garat, megjithëse kjo pritet të shihet në ditët në vijim.

Kina ka marrë masa edhe rreth shikuesve. Olimpiadën pritet ta përcjellin 150 mijë shikues të ftuar. Planet për të shitur bileta për vizitorët e huaj janë anuluar për shkak të pandemisë.

(Kosova Sot Online)