
Veprimi i mençur i Azpilicuetas që ndihmoi Chelsean të fitojë Kupën e Botës për Klube

Në minutën e 116-të të finales së Kupës së Botës ndërmjet Chelseas dhe Palmeiras, me rezultatin 1-1, bluve iu dha një penallti, e cila e vendosi ndeshjen.
Cesar Azpilicueta rrëmbeu topin ndërsa lojtarët e Palmeiras po ankoheshin te gjyqtari dhe ai arriti të largonte presionin nga ekzekutuesi real i penalltisë, pasi kundërshtarët u mblodhën rreth tij në përpjekjen e tyre për ta dekoncentruar.
Në një video të regjistruar nga tribuna, Azpilicueta shihet duke mbajtur topin në përpjekjen e tij për të mashtruar kundërshtarët që të besojnë se ai do të gjuajë nga pika e bardhë.
Ndërkohë, Kai Havertz kishte kohë për t’u fokusuar dhe për t’u përballur me presionin e detyrimit për të shënuar gol në mënyrë që të ndihmonte Chelsean ta fitonte trofeun.
Kur lojtarët e Palmeiras më në fund pushuan së ankuari te arbitri, Azpilicueta ia dorëzoi topin Havertzit , i cili shënoi nga pika e bardhë për të siguruar trofeun e Kupës së Botës për Klube për Chelsean.
(Kosova Sot Online)