
FFK shpalli datën e zgjedhjeve, kandidatët për kryetar thirrje shtetit: “Ndalni shkeljet ligjore të Agim Ademit”

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) sot e mbajti një mbledhje ku vendosi qe me 6 prill të mbahen zgjedhjet për president të shtëpisë se futbollit.
Ne fakt, pritej që zgjedhjet për kryetar te FFK-së të mbaheshin dikur kah fillimi i qershorit, kur edhe skadon mandati i kryetarit aktual, Agim Ademit.
Por, FFK-ja vendosi që Kuvendi Zgjedhor të mbahet më 6 prill, duke e njoftuar komunitetin e futbollit vetëm një muaj më herët për datën e zgjedhjeve.
E kjo nuk po iu pëlqen Remzi Ejupit dhe Arianit Ahmetit, te cilët kanë deklaruar se do të garojnë kundër Agim Ademit.
Në bisedë me Gazetën Express, sikurse Ejupi ashtu edhe Ahmeti kanë thënë se Kuvendi i rregullt duhet të ftohet dy muaj më herët, sipas statutit të FFK-së. Kurse, ata thonë se Ademi e ka shkelë statutin duke caktuar datën e zgjedhjeve vetëm një muaj më herët.
E një muaj me herët ata thonë se ftohet vetëm Kuvendi i Jashtëzakonshëm, i cili mbahet në rrethana tjera, kur Federata papritmas mbetet pa kryetar. Remzi Ejupi dhe Arianit Ahmeti i bëjnë thirrje institucioneve shtetërore të Kosovës që të tregojnë autoritet shtetëror dhe t’i respektojnë ligjet e shtetit duke monitoruar këtë proces zgjedhor. Për me tepër, ata thonë se shteti t’i përcjell shkeljet e panumërta ligjore që është duke i bërë në vazhdimësi Agim Ademi.
“Fillimisht duhet të tregojë FFK se a është ky kuvend i rregullt apo kuvend i jashtëzakonshëm. Data e kuvendit te rregullt caktohet dy muaj me herët. Kuvendi i jashtëzakonshëm dihet se në çfarë rrethana mbahet. Pra, data e shpallur është e jashtëligjshme. Kryetari aktual është me dy aktakuza dhe është në panik të humbjes sepse i ka pa klubet që kanë vullnet për ndryshim, por nuk guxojnë ta shprehin sepse janë në vlug të kampionatit dhe kryetari u hakmerret. Ai po dëshiron ta mbaj me gjithë këto shkelje kuvendin sipas interesit te tij, sepse u ka premtuar klubeve mbijetesën, inkuadrim në Superligë dhe dëshiron ta mbaj kuvendin me ato premtime për të marrë vota sepse klubet frikësohen se mund t’u kushtojë mosdhënia e nënshkrimeve, e në anën tjetër dëshiron t’u ik premtimeve para se të kryhet kampionati”, tha Ejupi për Gazetën Express.
“Unë, sigurisht edhe gjitha klubet, kanë vullnet për proces të rregullt zgjedhor, i cili duhet të jetë demokratik dhe ligjor. Kështu që i bëj thirrje shtetit të mos e lejojë Agim Ademin të bëj çka të dojë me futbollin e shtetit, duke shkelur ligjet e shtetit për interes të tij personal dhe të atij grupi klanor të tij. Shikojeni fotografinë nga mbledhja ku është vendosur data e zgjedhjeve dhe shihni se kush janë ata që e kanë marrë në dorë fatin dhe të ardhmen e futbollit të Kosovës”, shtoi Ejupi.
Edhe Arianit Ahmeti e ka cilësuar si shkelje caktimin e datës të zgjedhjeve për kryetar të FFK-së, duke u thirrur në nenin 39 të statutit.
“FFK edhe njëherë bëri shkelje të madhe. Komiteti Ekzekutiv i prirë nga kryetari i paligjshëm, paskan shkuar diku në një mal në Prizren, dhe e paskan vendos datën e zgjedhjeve, të mbyllur, larg opinionit, larg mediave. Data është e paligjshme. Me statut të FFK-së data e zgjedhjeve te rregullta duhet të shpallet dy muaj më herët, kurse këta e kanë shpallur një muaj më herët. Ky nuk është kuvend i jashtëzakonshëm, i cili mund të thirret një muaj më herët. Por, është Kuvend i rregullt, i cili sipas nenit 39 të statutit, duhet të thirret dy muaj më herët. Pra, në start kryetari bën shkelje”, tha fillimisht Ahmeti për Gazetën Express.
“Unë besoj që në këtë vend ka institucione shtetërore, është Ministria, edhe Ligji i Sportit, dhe respektimi i rregullave e ligjeve nuk e lejojnë mbajtjen e këtij Kuvendi me këtë datë, më 6 prill, sepse data u caktua veç një muaj më herët, e sipas nenit 39 të statutit duhet të caktohet dy muaj më herët”, përfundoi Arianit Ahmeti.
FFK sot nuk ka dhënë sqarime se si erdhi deri te vendosja e kësaj date për zgjedhje, duke e lëshuar një njoftim të shkurtër ku thuhet: “Komiteti Ekzekutiv i FFK-së nën drejtimin e presidentit Agim Ademi e ka mbajtur sot mbledhjen e radhës. Në këtë mbledhje KE vendosi që në bazë të statutit dhe rregullores të shpallë zgjedhjet për president. Me këtë rast u vendos që Kuvendi i Rregullt Zgjedhor për president të FFK-së të mbahet më 6 prill, ditë e mërkurë. Delegatët do të njoftohen në ditët në vazhdim për orën dhe vendin e mbajtjes së Kuvendit”.
(Kosova Sot Online)