Futbollisti rus i përgjigjet atij ukrainas: Është e lehtë të akuzosh nga vila në Angli

  • S.A /
  • 03 March 2022 - 09:26
Futbollisti rus i përgjigjet atij ukrainas: Është e lehtë të akuzosh nga vila në Angli

Artem Dzyuba, futbollist i Zenitit dhe kapiten i Kombëtares ruse, u është përgjigjur akuzave të futbollistit të Evertonit, Vitaliy Mykolenko.

Ky i fundit kishte thënë se sulmuesi nuk e ka dhënë një mendim apo nuk e ka marrë një pozicion sa i përket luftës në Ukrainë. Përmes një postimi të gjatë në Instagram, Dzyuba i është përgjigjur Mykolenkos. “Për disa kolegë që e kanë rehatuar prapanicën e vetë në vilat e tyre në Angli dhe thonë gjëra të këqija: nuk jam shprehur më parë, jo pse kisha frikë, por sepse nuk jam një ekspert i politikës. Por, si të gjithë, unë e kam opinionin tim. Natyrisht, jam kundër luftës, është një gjë e frikshme.

Por, jam edhe kundër agresionit human dhe urrejtjes, e cila po e ka një eskalim të tmerrshëm çdo ditë. Nuk kam frikë të jem rus. Jam krenar që jam rus. Dhe, nuk e kuptoj se përse sportistët tjerë duhet ta vuajnë këtë. Unë jam kundër luajtjes me dy karta. Sepse, të gjithë e thonë se sporti duhet të qëndrojë larg politikës, por në rastin e parë, kur flitet për Rusinë, ky parim harrohet gjithmonë. E përsëris, lufta sjell frikë. Në situata stresuese, njerëzit e shfaqin brendësinë e tyre, ndonjëherë negative. Rusinë po e fyejnë dhe po e kërcënojnë njerëz për të cilët Rusia ka dhënë tepër, shumë në jetën e tyre. E gjithë kjo sjell edhe më shumë negativitet. Lufta do të përfundojë, por raportet njerëzore mbesin”, ka shkruar futbollisti rus.

Në ditët e fundit ka pasur postime dhe deklarata thumbuese nga ana e sportistëve ukrainas dhe të atyre rusë, shtetet e të cilëve janë futur në javën e dytë të luftës. 

(Kosova Sot Online  )