Barcelona ende nuk ka vendosur për Adama Traoren, e ardhmja e tij në ajër

  • S.A /
  • 05 March 2022 - 09:54
Barcelona ende nuk ka vendosur për Adama Traoren, e ardhmja e tij në ajër

Pavarësisht paraqitjeve të mira të tij, Barcelona nuk ka marrë ende një vendim për ekzekutimin e opsionit të blerjes për Adama Traoren. Traore ka qenë një nga befasitë e merkatos së janarit. Ai u transferua në “Camp Nou” nën hijen e Ferran Torres e Pierre Emeric Aubameyang, por ka arritur që të fitojë një vend në formacionin e Xavit.

Megjithatë, përformancat e tij të mira te katalunasit, nuk i kanë bindur ende drejtuesit e këtij klubi. Siç ka mësuar “AS”, Barça dëshiron ende kohë për të marrë një vendim rreth të ardhmes së spanjollit, i cili është i huazuar nga Wolvesi. 

Nëse Barcelona dëshiron ta shfrytëzojë opsionin e blerjes së 26-vjeçarit, atëherë do t’i duhet t’i paguajë 30 milionë euro klubit anglez. Një shumë e rëndësishme, sidomos nëse marrim parasysh situatën e pasigurt financiare të Barcelonës dhe nevojën për të drejtuar të gjithë investimin ekonomik këtë verë për të përballuar nënshkrimin e mundshëm të Erling Haalandit.

Por, kjo shumë prej 30 milionë eurove edhe mund të ndryshojë, falë Francisco Trincaos, i cili është i huazur te Wolvesi nga Barcelona.

Sipas gazetës spanjolle, portugezi ka një klauzolë lirimi prej 30 milionë euro, të cilën nëse Wolvesi pranon ta paguajë, atëherë Traore do të kalonte në “Camp Nou” falas. Pra, do të bëhej një shkëmbim.

Gjithashtu, nëse “Ujqërit” në fund heqin dorë nga blerja e Trincaos, siç raportojnë disa media nga Anglia, klubi do të duhet të paguajë një dënim prej gjashtë milionë eurove. Prandaj, në skenarin më të keq, nëse Barcelona vendos të mbajë Adama Traoren, atëherë do të mund të paguajë edhe 24 milionë euro. 

(Kosova Sot Online )