IJF-ja mburret me xhudon kosovare, kërkon edhe nga sportet tjera të ngriten

  • S.A /
  • 07 March 2022 - 11:24
IJF-ja mburret me xhudon kosovare, kërkon edhe nga sportet tjera të ngriten

Federata Ndërkombëtare e Xhudo (IJF) i ka përgëzuar xhudistët kosovarë për sukseset e arritura dhe për shpërblimet që i morën së fundmi nga Komiteti Olimpik i Kosovës. Kampionia olimpike Distria Krasniqi dhe kampioni evropian, Akil Gjakova i fituan çmimet kryesore, ndërsa trajneri i vitit u zgjodh Driton Kuka. Kjo nënkupton se xhudoja kosovare po i dominon krejt çmimet, kur bëhet fjalë për sportin.Për këtë ndihet krenare IJF-ja, por ajo kërkon që të zhvillohet sporti kosovar në përgjithësi.

“Në Kosovë, një vend i cili sportin e xhudos e ka elitë, Distria Krasniqi, kampione olimpike në kategorinë -48kg dhe Akil Gjakova, kampion evropian, janë shpërblyer duke u zgjedhur sportistët e vitit dhe nga këtu ne ju njoftojmë: Derisa ne jemi krenarë me xhudon kosovare, sportet tjera duhet të ngriten sepse xhudo po i fiton të gjitha çmimet çdo vit dhe, edhe pse i meriton ato, ne nuk duam të qohemi ngacmues. Gjithashtu, Driton Kuka u kthye në shtëpi me çmimin e trajnerit të vitit. Ne jemi të sigurt se ai nuk ka hapësira të shumta në shtëpinë e tij pasi këtë çmim e fiton çdo vit”, shkruan Federata Ndërkombëtare e Xhudos në uebfaqen e saj zyrtare.Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova fituan medalje të arta në Olimpiadën e Tokios. 

(Kosova Sot Online )