Ballkani synon ta ruajë primatin dhe të shkëputet në Superligë

  • 09 March 2022 - 13:07
Ballkani synon ta ruajë primatin dhe të shkëputet në Superligë

Ballkani do të mundohet ta ruajë primatin dhe të shkëputet në BKT Superligën e futbollit. Therandasit do të përballen sot me Malishevën në udhëtim në një sfidë të vështirë për ta. Aktualisht, ekipi Portokalli i ka dy pikë më shumë se Gjilani dhe me një fitore eventuale do të shkonte në +5, por me një ndeshje më shumë të zhvilluar. Më pas, nesër ekipi nga Suhareka do të shpresonte në një barazim në derbin e Anamoravës ose në një fitore të Dritës, të cilën tash për tash e ka lënë prapa 7 pikë, e kjo distancë pak orë më vonë mund të rritet në 10 pikë.

Nga ana tjetër, Malisheva ka ditur të tregohet ekip i papërshtatshëm këtë sezon dhe do të mundohet t’i mbajë pikët në shtëpi, për t’ia ndalur hovin liderit.

Sot ngushëllimin tek Feronikeli do të mundohet ta gjejë Prishtina, e cila po kalon nëpër momente negative. Prishtinasit po hasin në probleme financiare, me ç’rast futbollistët janë “rebeluar” dhe mund të mos paraqiten fare në ndeshjen e sotme. E ndeshja e tretë e sotme do të jetë ajo në mes të Ulpianës dhe Dukagjinit. Për të dy ekipet ky takim ka rëndësi pasi ato po luftojnë për të mbetur në ligën elitare. E nesër, krahas derbit Drita – Gjilani, në kuadër të xhiros së 24-t do të luajnë edhe Llapi me Drenicën, një tjetër ndeshje që pritet të jetë interesante kjo. Të gjitha takimet e mesjavës do të fillojnë në orën 13:00.

Image

(Kosova Sot Online )