Abramovich ishte afër transferimit të Messit, Romano zbulon se si dështoi kjo lëvizje

  • A.P /
  • 11 March 2022 - 17:55
Abramovich ishte afër transferimit të Messit, Romano zbulon se si dështoi kjo lëvizje

Roman Abramovich thuhet se ishte afër që ta transferonte Lionel Messin te Chelsea, para shtatë viteve.

Klubi londinez tani po kalon nëpër një situatë të vështirë. Tani miliarderi rus nuk mundet as ta shesë klubin, pas sanksioneve të fundit që Britania e Madhe mori ndaj tij.

Sidoqoftë, në vitin 2014, Abramovich pothuajse ishte afër transferimit më të madh në histori të klubit, atë të Lionel Messit nga Barcelona.

Pas 41 golave ​​të shënuara në të gjitha garat në sezonin 2013/14, argjentinasi u nervozua me autoritetet spanjolle pasi ndaj tij u hap një hetim për mashtrim tatimor dhe ai pastaj thuhet se u tundua nga mundësia për të filluar një jetë të re në Londër dhe mundësia për të luajtur nën urdhrat e Jose Mourinhos, sipas Fabrizio Romanos.

Pasi foli me ish-shokun e skuadrës te Barcelona, Deco, i cili gjithashtu kishte luajtur në Chelsea, ishte planifikuar një takim mes Messit dhe Mourinhos, por nëpërmjet një telefonate jokonvencionale përmes “FaceTime”.

Telefonata thuhet se funksionoi në atë kohë, pasi 34-vjeçari thuhet se shkoi për t’i thënë përfaqësuesve të tij pastaj: “Me Mourinhon, për mënyrën se si ai më ka folur, unë mund të fitoj çfarë të dua – ai është fitues, vazhdoni dhe mbylleni marrëveshjen”.

Megjithatë, kjo lëvizje nuk ndodhi kurrë dhe Chelsea pastaj përfundoi duke transferuar Cesc Fabregasin nga Barcelona. Sipas Romanos, pas shqyrtimit të kujdesshëm Messi vendosi të vazhdonte jetën dhe karrierën në Spanjë.

“Gjithçka u shemb sepse Barcelona ishte diçka e veçantë për Lionel Messin. Ai vendosi së bashku me familjen e tij të qëndronte dhe të vazhdonte përvojën e tij me Barcelonën. Roman Abramovich e donte Messin. Ai përpiqej seriozisht të nënshkruante me Messin si yllin e ri të Chelseas, por marrëveshja u dështoi”, deklaroi gazetari italian.

Sidoqoftë, në fund nuk doli të ishte një vendim i keq shtatë herë fituesi i “Topit të Artë”, pasi ai fitoi tripletën me Barcelonën sezonin e ardhshëm dhe luajti një rol të madh me 58 gola e 27 asistime. 


(Kosova Sot Online)