Abramovich i jep dritën e gjelbër shitjes së Chelseas, arrihet marrëveshja me Qeverinë britanike

  • A.P /
  • 11 March 2022 - 22:59
Abramovich i jep dritën e gjelbër shitjes së Chelseas, arrihet marrëveshja me Qeverinë britanike

Roman Abramovich raportohet se ka dhënë dritën e gjelbër për shitjen e klubit të Chelseas. Ofertat tani priten që të shqyrtohen deri në fund të javës së ardhshme.

Pronari aktual i klubit londinez ka udhëzuar bankën tregtare “Raine” që të vazhdojë me procedurat e shitjes, pavarësisht se është goditur me sanksione të rënda nga Qeveria e Britanisë së Madhe.

“Raine” dhe Chelsea raportohet se kanë zhvilluar bisedime me Qeverinë se si mund të vazhdojë shitja dhe kanë rënë dakord për një proces ku ofertuesi i preferuar dhe përdorimi i fondeve nga shitja do të kërkojë miratimin e Qeverisë britanike.

Siç raportohet nga “Telegraph Sport”, aktualisht ka të interesuar nga Amerika për blerjen e klubit nga Londra. Konsorciumi i Todd Boehly ka bërë një ofertë prej 2 miliardë funtesh dhe 2.5 miliardëve, teksa edhe familja Ricketts dhe Woody Johnson gjithashtu thuhet se kanë gati ofertat.

Biznesmeni britanik, Nick Candy, ka këmbëngulur se ai mbetet i interesuar të bëjë një ofertë gjithashtu.

Fakti që nga Chelsea duken të përgatitur të presin deri në fund të javës së ardhshme që ofertat të shqyrtohen, lë të nënkuptohet që klubi të ketë para të mjaftueshme për të operuar nën sanksionet aktuale.


(Kosova Sot Online)