
Portieri brazilian: U largova nga Kosova pas pesë muajsh, kishte të shtëna armësh

Portieri brazilian, Victor Golas e ka kujtuar njërën prej eksperiencave të karrierës së tij.
Ai e ka veshur fanellën e shumë klubeve gjatë karrierës, ndërsa e kishte një eksperiencë edhe në Kosovë.
Në fakt, në sezonin 2018/19, 31 vjeçari kishte mbrojtur për Trepçën ’89.
Por, ai ishte larguar shpejt nga vendi ynë nga frika se mund t’i ndodhë ndonjë e keqe.
Portieri aktual i ekipit brazilian, Rio Claro e ka kujtuar atë periudhë, teksa thotë se ka dëgjuar të shtëna armësh.
“Pas eksperiencave në Brazil, shkova në Kosovë. Në fakt, unë shkova në Serbi, sepse Kosova nuk është një vend i njohur. Aty kam qëndruar vetëm pesë muaj sepse ka shumë konflikte. Gjatë stërvitjeve kam dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Ne jetonim në një qytet të quajtur Mitrovicë, ku një pjesë është serbe dhe pjesa tjetër shqiptare, kishte luftë në mes tyre. Stadiumi ynë ishte në pjesën shqiptare, ne stërviteshim në fushë, e nga ana tjetër ishte një lum dhe një mal dhe pas nesh dëgjoheshin të shtëna armës teksa stërviteshim. Unë shkova atje me familjen time dhe mbeta i dëshpëruar. Pas 4-5 muajsh vendosa të largohesha”, tha Golas, i cili ndien keqardhje edhe për luftën që po ndodhë në mes të ukrainasve dhe rusëve.
“Në Kosovë ishte ende periudha e tensionit të pasluftës, kurse në Ukrainë po e përjetojnë ende konfliktin. Unë e përjetova periudhën e pasluftës. Kishte shumë tension, pritej një luftë e re në çdo moment, por nuk pati një konflikt të qartë të armatosur”, përfundoi portieri brazilian.
(Kosova Sot Online)