FIFA i del në ndihmë popullit në Ukrainë

  • G.G /
  • 19 March 2022 - 17:02
FIFA i del në ndihmë popullit në Ukrainë

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka njoftuar se shtëpia më e madhe e futbollit po ofron ndihmë financiare dhe materiale për popullin në Ukrainë, të cilët po përballen me agresionin rus.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Fondacioni i FIFA-s është përfshirë në disa aktivitete për të ukrainasit, duke punuar së bashku me komunitetin lokal dhe rajonal të futbollit atje.

“Përballë këtij konflikti, ne duam të bëjmë pjesën tonë dhe të mbështesim njerëzit në Ukrainë dhe ata që kanë ikur nga lufta. Fondacioni FIFA është i gatshëm të ofrojë një pjesë të ndihmës së nevojshme duke punuar në koordinim me komunitetin e futbollit në Ukrainë dhe në rajon”, tha Infantino.

Pas një kërkese nga Federata e Futbollit e Ukrainës, FIFA bëri të ditur se tashmë ndihmat e para kanë mbërritur në Ukrainë për të përmbushur nevojat më urgjente të tyre.

Në total, 1 milion dollarë i janë vënë në dispozicion Fondacionit të FIFA-s, në mënyrë që të shfrytëzohen për t’i ndihmuar ukrainasit. 

(Kosova Sot Online)