Giresse: Miqësoret e marsit na shërbejnë të njihemi dhe të përgatitemi për Ligën e Kombeve

  • S.A /
  • 21 March 2022 - 11:46
Giresse: Miqësoret e marsit na shërbejnë të njihemi dhe të përgatitemi për Ligën e Kombeve

Selektori i ri i Kosovës, Alain Giresse është paraqitur sot në konferencë për shtyp para dy ndeshjeve të marsit, ndaj Burkina Fasos dhe ndaj Zvicrës. Trajneri francez thotë se këto dy ndeshje do të jenë një mundësi e mirë për të që të njihet me ekipin e ri, por edhe për t’u përgatitur për ndeshjet që çojnë peshë, e të cilat do të nisin në muajt në vazhdim.

“Qëllimi është që t’i njohim lojtarët. Këto dy ndeshje miqësore do të na shërbejnë po ashtu për ta parë nivelin tonë dhe për t’u përgatitur për ndeshjet që do t’i kemi në muajin qershor në Ligën e Kombeve. Do të kemi ambicie maksimale. Do të mundohemi të kemi paraqitje sa më të mira në miqësoret e këtij muaji”, deklaroi Giresse në konferencë për shtyp.

Sipas tij, në Kombëtare do të ftohen lojtarët më të mirë, që janë në formë, pa marrë parasysh se në cilën ligë luajnë.

Ai nuk ua mbylli dyert lojtarëve që luajnë në Kosovë, por e pranoi se ata që aktivizohen jashtë, kanë përparësi në këtë drejtim.

“Do të mundohemi t’i zgjedhim lojtarët që janë më kualitativë. Lojtarët që luajnë jashtë Kosovës mendoj se janë më kualitativë dhe më të përgatitur. Shikojeni edhe ligën e Francës, ka shumë lojtarë, por pak prej tyre luajnë për Francën. Pra, gjithmonë zgjidhen lojtarët nga ligat më të forta”, sqaroi ai.

Giresse tutje zbuloi se ka folur me trajnerët e lojtarëve, nga të cilët kanë kërkuar informata.

(Kosova Sot Online )