“Penalltia e humbur? Do ta ëndërroj çdo natë të jetës sime”

  • A.P /
  • 25 March 2022 - 15:06
“Penalltia e humbur? Do ta ëndërroj çdo natë të jetës sime”

Burak Yilmaz ishte fytyra tragjike e natës së mbrëmshme.

Futbollisti turk e humbi penalltinë ndaj Portugalisë, me të cilën do të mundë ta barazonte rezultatin në 2:2.

Në këtë mënyrë ai u pensionua nga Kombëtarja në mënyrën më të keqe të mundshme.

“Pa e zgjatur më shumë, kjo ka qenë ndeshja ime e fundit në Kombëtare. Është e nevojshme të bëhet një ndërrim i gjeneratës. Nuk kisha dashur të tërhiqesha pas një ndeshjeje trishtuese si kjo, por mendoj se është vendimi më i duhur”, deklaroi Yilmaz në konferencë për shtyp, përcjell “Gazeta Express”.

Atij i rodhën lotët nga mërzia dhe nga emocionet, ndërsa nuk mundi të mos fliste për penalltinë fatkeqe e minutës së 83-të.

“Kur është akorduar penallti, isha i sigurt se do të shënoja. Mendoja për rezultatin e mundshëm 2:2 dhe për zhvillimet pasuese. Ishte një zhgënjim i madh. Do të imagjinoj duke e shënuar këtë penallti para se të fle çdo natë të jetës sime”, përfundoi 36 vjeçari.

Sa për informatë, Portugalia e Ronaldos e fitoi këtë ndeshje me rezultat 3:1 dhe shkoi në finale të “Play-Offit” me synim që ta sigurojë pjesëmarrjen në Botërorin 2022.

Ai ishte pjesë e Kombëtares së Turqisë nga viti 2006 deri tash.

E në nivelin e klubeve, aktualisht është bashkëlojtar i Edon Zhegrovës tek Lille. 


(Kosova Sot Online)