Gjithçka gati për miqësoren me Spanjën, Shqipëria kryen seancën stërvitore

  • A.P /
  • 25 March 2022 - 22:34
Gjithçka gati për miqësoren me Spanjën, Shqipëria kryen seancën stërvitore

Kombëtarja shqiptare ka përmbyllur këtë të premte përgatitjet për miqësoren e 26 marsit ndaj Spanjës.

Kuqezinjtë kanë mbërritur rreth orës 17:00 në stadiumin “RCDE” të Barcelonës për të zhvilluar seancën zyrtare stërvitore, ndërsa grupi është i plotë dhe nuk ka asnjë mungesë.

Seanca ka zgjatur 1 orë dhe stafi teknik ka provuar më së shumti skema të ndryshme taktike, ndeshje kontrolli dhe pak ngarkesë fizike, ka njoftuar Federata Shqiptare e Futbollit.

Tashmë pas pesë ditësh përgatitje intensive gjithçka është gati për miqësoren Spanjë-Shqipëri, që luhet më 26 mars duke filluar nga ora 19:45 në stadiumin “RCDE” të Spanjës.

Kujtojmë se kjo do të jetë ndeshja e parë miqësore mes këtyre dy përfaqësueseve, të cilat deri më tani kanë luajtur ndaj njëra-tjetrës shtatë sfida, të gjitha të vlefshme për kualifikueset e kampionateve europiane dhe botërore.

Ndeshja e parë mes dy vendeve është luajtur më 3 dhjetor të vitit 1986 në stadiumin “Qemal Stafa” ndërsa e fundit më 6 tetor 2017. 


(Kosova Sot Online)